Newcastle nuk është vetëm në garë për shërbimet e Strakoshës, trajneri i madh e do në skuadër

Thomas Strakosha duket se ka rifituar statusin e portierit titullar në skuadrën e Lazios, teksa në katër sfidat e fundit mes kampionatit dhe Europa League, trajneri Maurizio Sarri i ka besuar gardianit të kombëtares shqiptare.

Megjithatë, 26-vjeçari vështirë se e ka harruar periudhën e gjatë që mbeti në stol, ndaj edhe çështja e rinovimit të kontratës ka ngecur. Strakoshës i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni dhe ndryshe nga e zakonshma, janari mund të rezultojë një muaj i nxehtë për të. Kjo sepse Strakosha ka një ofertë nga ana e Newcastle, klub i Premier League dhe që prej kohësh ka shprehur interesimin për portierin, mirëpo së fundmi futbollistit kuqezi i është shtuar edhe një alternativë e re, po nga elita angleze.

Fjala është për Watford, e cila sipas Calciomercato e kërkon transferimin e Strakoshës në janar. Skuadra drejtohet nga Claudio Ranieri, i cili më parë e ka fituar Premier League me Leicester dhe tashmë kërkon të jetë i suksesshëm edhe me Watford. Aktualisht, skuadra e teknikut italian është në vendin e 17 dhe I duhet të përmirësohet në janar duke filluar nga porta me nënshkrimin e Strakoshës.

Megjithatë, mbetet për t’u parë si do të rrjedhin ngjarjet, teksa edhe Lazio do të mundohet ta bindë portierin për të rinovuar teksa Strakosha është pjesë e kryeqytetasve prej vitit 2012, duke u aktivizuar fillimisht me moshat dhe më pas me Salernitanën si i huazuar derisa mbërriti në ekipin e parë në vitin 2016.


Shtuar 21.12.2021 08:46