Gjermania sot është në qendër të vëmendjes së gjithë Europës, pasi në “Allianz Arena” do të luhet finalja e Champions League.
Në orën 21:00, do të përballen PSG-ja dhe Interi, dy skuadra që do të kërkojnë të fitojnë trofeun më të rëndësishëm europian për klube.
Ky duel ka një interes të veçantë për shqiptarët, për shkak të pranisë së Kristjan Asllanit.
Të gjithë shpresojmë që trajneri Simone Inzaghi t’i ketë rezervuar disa minuta mesfushorit shqiptar, dhe në fakt, “kryqëzojmë gishtat” për këtë mundësi.
Ndërkohë, duket se finalen do ta ndjekë nga afër edhe Odise Roshi. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare ka publikuar një postim në rrjetet sociale, ku shfaqet në avion, në drejtim të Gjermanisë.
Me shumë gjasa, ai do të jetë në shkallët e stadiumit për ta shijuar këtë ndeshje dhe për të duartrokitur suksesin e mundshëm të Kristjan Asllanit.