Ndeshja me Holandën e fundit, Pandev e mbyll me Maqedoninë pas dy dekadash

Kapiteni i Maqedonisë së Veriut, Goran Pandev, njoftoi se ndeshja kundër Holandës ditën e nesërme do të jetë e fundit për sulmuesin me maqedonasit.

Edhe pse 37 vjeç, Pandev ka një rol thelbësorë në kombëtare duke mbajtur ekipin e bashkuar dhe duke ndihmuar maqedonasit me golat e tij.

“Kjo është ndeshja ime e fundit për ekipin kombëtar, mendoj se është momenti i duhur për të thënë lamtumirë. Shpresoj që këta djem, kjo gjeneratë, të vazhdojë të kualifikohet në Kupën e Botës.

Ata sjellin shumë gëzim për popullin e Maqedonisë së Veriut, sepse ata janë lojtarë cilësorë që luajnë për ekipe të mira dhe mendoj se ata meritojnë të kalojnë në Kupën e Botës”, tha Pandev.

Maqedonia e Veriut do të luajë pasditen e nesërme kundër Holandës sfidën e fundit në Grupin C, teksa në dy ndeshjet e para kanë pësuar dy disfata.

Pandev mbyll kështu një karrierë 20-vjeçare me Maqedoninë e Veriut, që prej debutimit në vitin 2000.


Shtuar 20.06.2021 23:06