Noeli ka humbur betejën me sëmundjen e rëndë. 15-vjeçari, i cili ëndërronte të bëhej një futbollist i madh, ndërroi jetë pas muajsh të tërë përballjeje me tumorin në kokë.
Të lidhura
None found
I riu ishte pjesë e Apolonisë së Fierit. Largimi i tij ka lënë në pikëllim të thellë prindërit, motrën Anja, familjarët, miqtë dhe shokët e skuadrës, të cilët shpresuan deri në fund për shërimin e tij.
Një vit më parë, shqiptarët u bashkuan pas apelit të bërë në rrjetet sociale për të siguruar kurimin e Noelit jashtë vendit. Përpjekjet e familjes, të qytetarëve dhe të mjekëve, si edhe lufta e vetë 15-vjeçarit, nuk mjaftuan për ta ndalur sëmundjen, e cila i mori jetën në një moshë kaq të re.
Lajmi i hidhur u bë i ditur nga babai i Noelit. Përmes një mesazhi të ndarë me ndjekësit, ai njoftoi ndarjen e të birit nga jeta.
“Me hidhërim të thellë e me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot u nda nga jeta djali jonë i shtrenjtë Noel Cura. I paharruar qofsh Biri Im!”, shkruan ai.
Noeli luftoi deri në fund, ndërsa ëndrra për të luajtur futboll u ndërpre nga sëmundja. Ai nuk do të shkelë më në fushën e blertë, por buzëqeshja, kujtimet dhe dashuria që la te njerëzit që e njohën do të mbeten.
Nesër, familja e tij dhe të gjithë ata që u bashkuan në lutje e shpresë do ta përcjellin Noelin në banesën e fundit. 15-vjeçari do të varroset në varrezat e Fierit, ku familjarët, miqtë, shokët e skuadrës dhe të gjithë të afërmit do t’i japin lamtumirën e fundit.
