Jose Mourinho u shfaq para gazetarëve përpara përballjes së Real Madridit me Real Sociedadin, duke komentuar rikthimin në Santiago Bernabeu, mbrojtjen ndaj Vinicius Juniorit, planifikimin e merkatos dhe gjendjen e Endrickut.
Të lidhura
None found
Real Madridi do të luajë nesër në shtëpi kundër Real Sociedadit, në takimin e kampionatit që ishte shtyrë nga java e parë.
Për trajnerin portugez kjo do të jetë një rikthim i veçantë në Santiago Bernabeu, por Mourinho theksoi se fokusi nuk duhet të përqendrohet tek ai, por te skuadra.
“Nuk dua që Bernabeu të më presë në një mënyrë të veçantë. Dua që ta presë ekipin, sepse ai është pasioni i tifozëve. Unë nuk jam i rëndësishëm”.
“Jam në gjendje t’i kontrolloj emocionet e mia dhe të luaj normalisht një ndeshje që nuk është normale, sepse janë tre pikë. Do të doja që skuadra të ndiente diçka ndryshe nga ajo që ka përjetuar sezonin e kaluar”, deklaroi Mourinho.
Mourinho mbron Viniciusin
Një pjesë e konferencës iu kushtua edhe Vinicius Juniorit. Mourinho kritikoi mënyrën se si kundërshtarët po sillen me futbollistin brazilian.
“Është e dukshme diferenca e Viniciusit me shumë lojtarë të tjerë. Ai ka hyrë në një spirale ku kundërshtarët mendojnë se mund ta godasin dhe e bëjnë. Është si me fëmijët e vegjël, shkojnë deri aty ku i lejon të shkojnë”, tha ai.
Trajneri i Real Madridit u ndal edhe te një ndërhyrje konkrete ndaj brazilianit, për të cilën tha se duhej të ndëshkohej me karton të kuq.
“I dhanë një goditje që ishte agresion dhe duhej të ishte karton i kuq. Mendoj se gjyqtari nuk e pa, ndërsa VAR-i nuk e bëri shumë mirë punën e tij. Megjithatë, unë kam besim te arbitrimi spanjoll”, shtoi trajneri.
Për mua, skuadra është e mbyllur
Në lidhje me ditët e fundit të afatit kalimtar, Mourinho bëri të qartë se nuk ka kërkuar përforcime të reja, edhe pse merkatoja ende nuk është mbyllur.
“Për mua është e mbyllur, por afati kalimtar është ende i hapur. Nuk e di nëse një lojtar mund të vijë e të thotë se dëshiron të largohet. Në parim, jo, por është diçka që mund të ndodhë”.
“Në kokën time skuadra është e mbyllur dhe nuk kam bërë asnjë kërkesë. Jam i kënaqur. Nëse dikush largohet, do të jem i kënaqur me atë që kemi”, u shpreh portugezi.
Situata e Endrickut
Mourinho dha gjithashtu një përditësim për Endrickun, duke bërë të ditur se sulmuesi brazilian ka një shqetësim fizik që lidhet me muskulin dhe tendinin.
“Nuk mund të them me siguri. Ka një problem në muskul që prek edhe tendinin. Është një lojtar që më pëlqen shumë dhe ka pasur shumë kontakte nga klube të tjera”.
“Unë e kam dashur në skuadër dhe për këtë arsye nuk e kam lejuar të huazohet apo të shitet. Nuk jam i sigurt nëse do të jetë në grumbullimin e parë me Ancelottin, por Carlo është mik dhe do të më telefonojë drejtpërdrejt”, përfundoi Mourinho.
