Modric thyen një rekord të madh pas golit me fanellën e Kroacisë

Kombëtarja e Kroacisë triumfoi bindshëm ndaj Republikës Çeke me rezultatin 5:1, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmë në “Opus Arena”, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror.

Një ndër më të dalluarit në këtë sfidë ishte kapiteni Luka Modric, i cili në moshën 39-vjeçare vazhdon të thyejë rekorde dhe të mbajë ritëm të lartë loje në arenën ndërkombëtare.

Në minutën e 62-të, Modric realizoi golin e dytë për Kroacinë nga pika e bardhë, pasi Ante Budimir fitoi një penallti. Ai goditi saktë duke kaluar ekipin e tij në epërsi 2:1.

Ky gol i dha atij një tjetër rekord personal: Modric u bë golashënuesi më i vjetër në historinë e kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës, duke kaluar Edin Dzekon, i cili kishte vendosur rekordin vetëm pak ditë më parë me Bosnje e Hercegovinën ndaj San Marinos.

Me këtë gol, mesfushori legjendar kroat u rendit gjithashtu si shënuesi i nëntë më i vjetër në të gjitha kualifikimet botërore, me rekordin absolut që mbahet nga Keithroy Cornelius i Ishujve Virgjër të SHBA-së, i cili shënoi në moshën 43-vjeçare.

Përveç golit, Modric dha një asistim të bukur për Andrej Kramaric dhe zhvilloi një tjetër ndeshje të shkëlqyer në mesfushë, me 70 pasime të sakta nga 77 tentativa, 2 driblime të suksesshme dhe fitimin e të gjitha dueleve tokësore.

Kjo paraqitje është një tjetër dëshmi e klasit dhe qëndrueshmërisë së tij në nivelet më të larta të futbollit, ndërsa Kroacia shfaq ambicie serioze për kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.


Shtuar 10.06.2025 11:14