Luka Modric nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Acelotti për 8 deri në 10 ditë. 37-vjeçari u kthye nga grumbullimi me Kroacinë (është kualifikuar “Final Four”) me mbingarkesë muskulore në ijë.
Kroati luajti dy ndeshjet e plota me përfaqësuesen e tij në fitoret me Danimarkën (2-1) dhe Austrinë (1-3). Reali i Madrid pret që ai të jetë në formë të plotë për “El Cásicon”, që do të luhet më 16 tetor.
Lajmi u konfirmua mesditën e kësaj të mërkure nga klubi “merengues”, që bëri të ditur se numri “10”, i kthyer sot në Madrid, është stërvitur në palestër. Analizat kanë konstatuar se ai vuan nga një mbingarkesë në ijë, e cila do ta detyrojë të ndalojë për rreth një javë.
Ai me siguri do të mungojë në ndeshjet kundër Osasunës (2 tetor), Shakhtarit (5 tetor) dhe Getafes (8 tetor) dhe pritet që të ketë disa minuta në ndeshjen e kthimit me ukrainasit në Champions (11 tetor), për të qenë në gjendjen më të mirë të mundshme në “El Clasicon”, kundër Barcelonës, në “Bernabéu” (16 tetor, ora 16:15)./ss/