Skuadra e futbollisteve të Mitrovicës do të vazhdojë të garojë në Evropë, pasi mposhti 2-1 ekipin e njohur hungarez, Ferencvarosh.
Të lidhura
None found
Takimi vendimtar u luajt sot, të shtunën paradite, në Budapest dhe përcaktoi vendin e tretë në mini-grupin e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ferencvaroshi zhbllokoi rezultatin në minutën e 68-të, duke e vendosur skuadrën kosovare në një situatë të vështirë. Mitrovica, megjithatë, arriti ta kthente ndeshjen në minutat e fundit.
Aurora Mulliqi ishte protagonistja kryesore e përmbysjes. Ajo shënoi golin e barazimit në minutën e 76-të dhe, pesë minuta më pas, realizoi sërish për rezultatin përfundimtar 2-1.
Fitorja i siguroi Mitrovicës pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të “Europa Cup”, niveli i dytë i kompeticioneve evropiane për klubet e futbollisteve.
Përballja me Ferencvaroshin kishte karakter përcaktues, pasi vetëm fituesi fitonte një vend në “Europa Cup”, ndërsa humbësi përfundonte pjesëmarrjen në garat evropiane.
Mitrovica vinte në këtë ndeshje pas disfatës 5-0 ndaj Brann të Norvegjisë, të pësuar të mërkurën në Budapest në gjysmëfinalen e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Pas atij rezultati, ekipi kosovar reagoi në sfidën vendimtare dhe triumfi kundër Ferencvaroshit i mundësoi të siguronte një tjetër paraqitje në skenën evropiane.
