Mision i (pa)mundur i Shqipërisë

Shqipëria shkon pas dy humbjeve dhe pa gola të shënuar në një fushë ku ka pesë humbje dhe ka shënuar vetëm një gol. Skuadra e fundit që ka fituar në Gjeorgji ka qenë Spanja në nëntor 2021, që atëherë 10 fitore e 3 barazime për vendasit.

Shqipëria do të luajë të hënën në orën 18.00 kundër Gjeorgjisë në Tbilisi në një ndeshje ku do të synojë kthimin në rezultatet pozitive, pas dy humbjeve radhazi. Një mision tepër i vështirë për kuqezinjtë, jo vetëm se do të luajë në një fushë tradicionalisht të vështirë për ta, por edhe duke parë atë çka kanë ofruar në dy ndeshjet e fundit. Skuadra e Silvinjos humbi 0-1 me Gjeorgjinë në Tiranë dhe 0-2 me Çekinë në Pragë, dy ndeshje që kanë të përbashkëta jo vetëm humbjet.

Në të dy rastet, Shqipëria nuk arriti të shënonte asnjë gol, nuk krijoi raste dhe ofroi shfaqje shumë të dobëta, futboll pa cilësi, aq sa ndeshja e fituar me Ukrainën tani duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Sigurisht që kundërshtari i radhës nuk është ndonjë nga superfuqitë e futbollit evropian dhe një rezultat pozitiv në Tbilisi nuk ka pse të konsiderohet suprizë apo i pamundur.

Por, të hënën Shqipëria do të luajë në një fushë ku ka pësuar vetëm humbje në pesë vizita të mëparshme, në të cilat ka shënuar vetëm një gol, në një miqësore të vitit 2012. Bilanci total i takimeve midis kuqezinjve e gjeorgjianëve është tri fitore, katër barazime e nëntë humbje, me 13 gola të shënuar e 24 të pësuar.

Shto këtu edhe faktin që Gjeorgjia nuk humbjet në fushën e saj që nga nëntori 2021. Që nga ajo humbje, pësuar nga Spanja, para tifozëve të saj ka 10 fitore e tre barazime.

Në futboll asgjë nuk është e pamundur dhe Gjeorgjia nuk është e pathyeshme, por sigurisht që Shqipërisë do t’i duhen përpjekje titanike dhe një fytyrë ndryshe nga ajo e dy ndeshjeve të fundit për t’u kthyer te rezultatet pozitive.


Shtuar 13.10.2024 19:54