Milot Rashica nuk e ka pranuar mundësinë e transferimit te Rizespori, sipas raportimeve të publikuara të dielën nga mediat turke.
Të lidhura
None found
Gazeta “Milliyet” shkruan se reprezentuesi i Kosovës nuk dëshiron t’i bashkohet klubit turk, ndonëse drejtuesit e Besiktasit janë përpjekur ta bindin që të pranojë këtë lëvizje.
“Lojtari kosovar nuk është i interesuar të transferohet te Rizespori”, raporton mediumi turk, i cili thekson se fjalën përfundimtare për këtë çështje e ka vetë Rashica.
Futbollisti 30-vjeçar është i lidhur me Besiktasin me kontratë deri në verën e vitit 2027 dhe aktualisht nuk shfaq gatishmëri për t’u larguar nga gjiganti i Stambollit.
Pas periudhës së kaluar te Norwich City, Rashica iu bashkua Besiktasit në verën e vitit 2023. Gjatë sezoneve të fundit, ai është shndërruar në një prej futbollistëve me rol të rëndësishëm në ekip.
Paraqitjet e mira të Rashicës u dëshmuan edhe këtë javë, kur ai realizoi njërin prej golave në triumfin 2-0 të Besiktasit kundër Midtjyllandit. Me këtë rezultat, skuadra turke siguroi kalimin në fazën tjetër të garës evropiane.
Refuzimi i Rizesporit dhe paraqitja e tij e fundit tregojnë se Rashica dëshiron të vazhdojë betejën për një vend te Besiktasi, ku vijon ta ketë besimin e stafit teknik.
