Oferta e majme financiare duket se ka luajtur rol vendimtar në zgjedhjen e Mirlind Dakut për ta vijuar karrierën në kampionatin rus.
Të lidhura
None found
Futbollisti kosovar është shumë pranë largimit nga Rubin Kazani për t’iu bashkuar Spartak Moskës, transferim nga i cili pritet të sigurojë të ardhura të konsiderueshme në vitet e ardhshme.
Sports.ru, duke iu referuar raportimeve të mediave ruse, shkruan se Daku do të fitojë afërsisht 3.75 milionë euro për sezon. Paga e tij fikse do të jetë 2.5 milionë euro, kurse 1.25 milionë euro të tjera do t’i jepen çdo vit si shpërblim për besnikërinë ndaj klubit.
Vetëm për hedhjen e firmës në kontratën me Spartakun, sulmuesi 27-vjeçar do të marrë gjithashtu një bonus prej 1.5 milionë eurosh.
Palët pritet të nënshkruajnë një marrëveshje trevjeçare, e cila do të përmbajë mundësinë e zgjatjes edhe për një sezon. Në rast se kontrata përmbushet deri në përfundim, përfitimet e Dakut mund të arrijnë në 16.5 milionë euro, duke e kthyer këtë lëvizje në një nga marrëveshjet më fitimprurëse të karrierës së tij.
Për ta realizuar transferimin, Spartak Moska pritet të paguajë klauzolën e lirimit prej 11 milionë eurosh që sulmuesi ka në marrëveshjen e tij me Rubin Kazanin.
Daku bënte pjesë ndër lojtarët me pagën më të lartë edhe te Rubini, por kalimi në radhët e Spartakut do t’i sjellë përfitime financiare edhe më të mëdha.
Sidoqoftë, afrimi i sulmuesit kosovar ka shkaktuar pakënaqësi te një grup tifozësh të Spartak Moskës, të cilët e kanë kundërshtuar publikisht transferimin e tij.
