Milani përmbys Interin dhe fiton SuperKupën e Italisë

Emocione të mëdha ka dhuruar finalja e Superkupës së Italisë e luajtur në Arabinë Saudite. Interi dhe Milani dhurojnë spektakël në fushën e blertë, por në fund janë kuqezinjtë ata që arrijnë të përmbysin 3-2 rivalët zikaltër dhe të bëjnë të vetin trofeun e parë sezonal në Itali.

Milani nis më mirë ndeshjen, duke rrezikuar në disa raste me Reijnders. Me kalimin e minutave edhe Interi nis të fitojë terren dhe rrezikon me Taremin. Në minutën e 35-të dëmtohet Calhanoglu dhe në fushë futet Asllani. Kur dukej sikur pjesa e parë do të mbyllej në barazim pa gola është Lautaro ai që kalon në avantazh zikaltërit.

Pjesa e dytë nis me gol. Është Taremi ai që shënon golin e dytë për Interin. Milani reagon menjëherë dhe ngushton shifrat me Theo Hernandez, që shënon nga një goditje standarte. Kuqezinjtë vazhdojnë të sulmojnë dhe gjejnë golin e barazimit me Pulisic 10 minuta para përfundimit të kohës së rregullt.

Përmbysja e madhe vjen në kohën shtesë kur Abraham shënon golin e tretë për kuqezinjtë. Mbyllet 3-2 në Riad. Milani fiton derbin dhe trofeun e 8-të të Superkupës në historinë e klubit.


Shtuar 6.01.2025 22:44

Tags: ,