Mësohen datat e fillimit të ligave kryesore evropiane

Muaji gusht do të sjellë startin e kampionateve elitare të futbollit në Evropë.

Ekipet e Premier Ligës, Serisë-A, La Ligas dhe Bundesligës tashmë janë në afatin kalimtar në kërkim të përforcimeve të radhëve të tyre me qëllim të rritjes së rivalitetit para fillimit të edicionit të ri garues 2022/23.

Njëra nga kampionatet më cilësore dhe më të paparashikueshme, Premier Liga, do të startojë më 5 gusht dhe do të përfundojë më 28 maj.

Ndeshja hapëse e këtij edicioni të Premier Ligës do të jete ajo ndërmjet Crystal Palace dhe Arsenalit.

La Liga spanjolle, ku kampion është Real Madridi, starton më 12 gusht dhe përfundon me 4 qershor të vitit të ardhshëm.

Kampionati tjetër është ai italian Seria A, me Milanin që është kampion në fuqi.

Edicioni 2022/23 i Serie A starton më 13 gusht dhe do të zgjasë deri më 4 qershor 2023. Kalendari i ndeshjeve ende nuk është shpallur.

Në Gjermani, edicioni i ri garues starton më 5 gusht dhe përfundon me 27 maj 2023.

Ndërsa liga franceze fillon më 5 gusht dhe mbaron më 3 qershor 2023.


Shtuar 21.06.2022 19:29