Mbyllet pjesa e parë, Kosovë 1-2 Armeni në “Fadil Vokrri”

Pjesa e parë e miqësores mes Kosovës dhe Armenisë, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ka qenë e mbushur me emocione dhe gola të bukur.

Armenia kaloi e para në epërsi në minutën e 8-të, kur Nair Tiknizyan përfitoi nga një pasiguri e portierit Amir Saipi dhe e shtyu topin në rrjetë.

Kosova reagoi fuqishëm dhe arriti të barazojë në minutën e 23-të me një supergol nga Lumbardh Dellova, i cili goditi fuqishëm nga rreth 30 metra dhe nuk i dha asnjë mundësi portierit armen.

Por gëzimi ynë zgjati vetëm pak minuta: në minutën e 29-të, Eduard Spertsyan realizoi një tjetër gol të bukur për Armeninë, këtë herë nga një goditje dënimi e saktë dhe e fuqishme që la Saipin pa reagim.

Kosova pati disa mundësi të shkëlqyera për të barazuar përsëri. Fillimisht, Ermal Krasniqi goditi shtyllën, ndërsa në minutën e 38-të Leart Paqarada përsëriti të njëjtin fat, duke e goditur po ashtu shtyllën, me devijim të portierit.

Në minutën e 43-të, Baton Zabërxha pati një rast shumë të mirë, por portieri i Armenisë, Armend Henri Avagyan, bëri një pritje të madhe, duke e ndalur tentativën e tij.

Avagyan ishte vendimtar në disa momente, duke ruajtur rezultatin e Armenisë, ku në kohën shtesë ndali edhe goditjen e Elvis Rexhbeçajt.

Pjesa e parë përfundoi me rezultat 2-1 për Armeninë, por Kosova tregoi dëshirë dhe rrezikshmëri, duke e bërë pjesën e dytë edhe më interesante.


Shtuar 6.06.2025 20:08