Cristiano Ronaldo ka treguar se djali i tij, Mateo, ndjek në YouTube videot e Kylian Mbappes, Jude Bellinghamit dhe Eduardo Camavingas. Sipas yllit portugez, Mateo madje i thotë se sulmuesi francez i Real Madridit është futbollist më i mirë se i ati.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë e ndau këtë detaj gjatë një interviste, duke zbuluar edhe mënyrën se si i përgjigjet të birit. Ronaldo i përmend numrin më të madh të golave që ka realizuar dhe i kujton një penallti të humbur nga Mbappe, por Mateo ia kthen se edhe ai ka gabuar nga pika e bardhë.
Të lidhura
None found
“Djali im Mateo shikon video në YouTube të Mbappes, Bellinghamit dhe Camavingas dhe më thotë se Mbappe është më i mirë se unë. I them se kam shënuar më shumë gola, pas së cilës i kujtoj se Mbappe humbi një penallti, dhe ai thotë: ‘Edhe ti humbe’”, deklaroi fillimisht Ronaldo.
Portugezi foli gjithashtu për mënyrën se si Real Madridi duhet ta përdorë Mbappen, duke këshilluar Klubin Mbretëror që të mos e vendosë francezin në rolin e një qendërsulmuesi klasik.
“Ai nuk duhet të luajë si një sulmues tradicional”, u shpreh Ronaldo. Sipas tij, Mbappes duhet t’i krijohet mundësia të veprojë në krahun e majtë, ku mund të shfrytëzojë hapësirat dhe shpejtësinë e tij.
Ronaldo shtoi se, nëse do t’i jepej rasti, do ta ndante me kënaqësi përvojën e tij me reprezentuesin francez. Ai theksoi se roli i sulmuesit kërkon lëvizje, pozicionim dhe vendimmarrje të veçantë, elemente që përvetësohen dhe zhvillohen përgjatë shumë viteve.
“Do t’i mësoja si të luante si 9-sh sepse as unë nuk kam lindur si sulmues. E mësova atë pozicion”, tha portugezi, duke iu referuar transformimit të tij nga një lojtar krahu në një prej golashënuesve më të suksesshëm në historinë e futbollit.
Ai i kërkoi gjithashtu Real Madridit që ta mbrojë Mbappen dhe t’i japë kohë të përparojë në mënyrë të natyrshme, në vend që mbi të të vendosen pritshmëri tepër të mëdha për të zëvendësuar çdo aspekt të lojës së Ronaldos.
Sipas portugezit, Mbappe vazhdon të jetë një nga futbollistët më të mirë në botë. Ronaldo beson se francezi do të vazhdojë të shkëlqejë te Real Madridi nëse aktivizohet në një pozicion që nxjerr në pah cilësitë e tij, dhe jo nëse detyrohet t’i përshtatet rolit tradicional të qendërsulmuesit.
Përpara kalimit te Los Blancos, Mbappe ishte pjesë e Monacos dhe PSG-së. Sezonin e kaluar, ai regjistroi 42 gola dhe shtatë asistime në 44 paraqitje në të gjitha garat.
Me kombëtaren e Francës, Mbappe ka realizuar 66 gola në 106 ndeshje.
