Sulmuesi i Manchester United, Mason Greenwood, ka marrë një vendim mbi të ardhmen e tij pas komenteve nga Sir Jim Ratcliffe sipas raportimeve të fundit.
Greenwood po luan aktualisht në Spanjë tek Getafe në formë huazimi pasi më herët u vendos me marrëveshje të dyanshme që anglezi të largohej nga “Old Trafford”.
22-vjeçari u suspendua nga United në janar të 2022 pas arrestimit të tij nën dyshimin se kishte dhunuar dhe sulmuar të dashurën e tij.
Në një intervistë për The Athletic, aksionari i ri i United, Sir Jim Ratcliffe, ka thënë se klubi do të marrë një vendim të ri mbi të ardhmen e Greenwood tani që INEOS ka marrë përsipër vendimet që kanë të bëjnë me blerje dhe shitje të lojtarëve.
“Ai është një futbollist i Manchester United, kështu që përgjigja është, po ne duhet të marrim një vendim”, ka thënë Ratcliffe.
“Është mjaft e qartë se ne duhet të marrim një vendim. Deri më tani asnjë vendim nuk është marrë, ai është në huazim natyrisht, por nuk është i vetmi”.
Kur u pyet nëse ishte e mundur që Greenwood të kishte një të ardhme në United, ai u përgjigj: Gjithçka që mund të bëj është të flas për parimin se si do t’i qasemi vendimeve të tilla. A është ai lloji i duhur i futbollistit? A është ai një person i mirë ose jo?”.
The Sun ka raportuar se, nëse Greenwood do të lejohej të kthehej tek United, ai do të preferonte të qëndronte në klub sesa të shkonte diku tjetër.
Greenwood ka shënuar pesë gola dhe ka bërë pesë asistime në 21 ndeshje në La Liga për Getafen këtë sezon.