“Marrin frymë” arkat e Interit, Sportingu kërkon të blejë Joao Marion

Inter “fërkon duart”, pasi të tjera para janë duke ardhur në arkat e klubit nga Portugalia. Klubi i Sportingut të Lisbonës ka mbetur mjaft i kënaqur nga paraqitja e mesfushorit Joao Mario dhe ka vendosur të blejë plotësisht kartonin e tij.

Pas një huazimi një vjeçar, mesfushori portugez u shfaq protagonist dhe Sportingu ia doli të fitojë titullin kampion, ndërsa drejtuesit e klubit nga Lisbona kanë kontaktuar homologët e tyre zikaltër për të negociuar për çmimin e kartonit.

Paraprakisht Interi i ka vendosur një çmim prej 10 milionë eurosh kartonit të Joao Marios, megjithatë pesha e tij në bilanc është vetëm 7 milionë euro, ndaj marrëveshja mund të mbyllet për një shifër prej 8 apo 8.5 milionë eurosh.

Kjo shifër është lehtësisht e përballueshme nga Sportingu i Lisbonës, që ka marrë një tjetër asist nga Joao Mario, i cili ka pranuar të ulë edhe pagën vjetore, vetëm e vetëm të transferohet përfundimisht në klubin ku edhe u rrit si futbollist.

Përveç portugezit, Inter po negocion të mbyllë edhe transferimin e Radja Nainggolan te Cagliari, për një shifër prej 4-5 milionë eurosh, ndërsa me largimin e këtyre dy futbollistëve, përveç arkëtimit të 12-13 milionë eurove, do të ulte me rreth 14 milionë euro edhe shpenzimet për pagat.


Shtuar 30.05.2021 14:01