Tre vite më parë kur Roberto Mancini u ul në stolin e kombëtares italiane, të kaltrit kishin përjetuar një nga dështimet më të mëdha të historisë së tyre pasi kishin mbetur jashtë Botërorit Rusi 2018. Në vetëm 36 muaj Roberto Mancini jo vetëm që i ndryshoi fytyrën kësaj Italie por e udhëhoqi drejt fitimit të një kompeticioni madhor. Në Ëembley të kaltrit mposhtën Anglinë pas goditjes së 11-metërshave duke fituar për herë të dytë në histori një kampionat europian dhe trajneri i Italisë i cili ka meritat më të mëdha për këtë sukses nuk mund sesi të mos ndihet krenar për skuadrën që ai drejton.
“E merituam fitoren. Goli i tyre na krijoi probleme në 15 minutat e para. Ishte zhgënjyese të arrinim te penalltitë dhe të vuanim kaq shumë. Jemi të lumtur për të gjithë italianët brenda dhe jashtë vendit. Akoma nuk e kuptojmë se çfarë kemi bërë, është gëzim i madh.Kemi bërë diçka të pabesueshme. Ishin 50 ditë të vështira, por kaluam mirë së bashku, pa probleme të mëdha, veçanërisht në marrëdhënien e djemve në këto ditë. Ata janë të gjithë djem të mirë dhe kanë krijuar diçka të pandashme për të ardhmen”.
Mancini nuk kishte sesi të mos vlerësonte Donnarumman për paraqitjen në finale dhe jo vetëm, ndërkohë që theksoi se fati i detyrohej diçka dhe e mori shpërblimin në finalen ndaj Anglisë.
“Luajta me ekipin më të mirë të 21-vjeçarëve të Italisë në Wembley madje humba penallti dhe nuk fituam. Mendoj se fati më detyrohej diçka. Të kesh Donnarumman në skuadër është fat i madh, ai është më i miri në botë. Lajm i mirë që është njëri mes nesh.Përqafimi me Viallin? Jemi miq prej një jete. Kemi bërë diçka që askush nuk e kishte bërë më parë. Europiani i fundit ishte fituar në vitin 1968 dhe ne e sollëm Kupën në Itali, e pabesueshme. Pastaj, u ngazëllyem edhe se tashmë jemi plakur”.