Manchester United i gatshëm të shesë pesë lojtarë në janar

Manchester United do të dëgjojë ofertat që vijnë në drejtim të tyre për disa lojtarë gjatë afatit kalimtar të janarit.

Burime brenda klubit anglez kanë raportuar se Manchester United janë të gatshëm të shesin lojtarë si Raphael Varane, Casemiro, Anthony Martial, Jadon Sancho dhe Donny Van de Beek.

Rregullat e fair-play financiar e kanë detyruar Unitedin që të bëhet më aktiv sa i përket shitjes së lojtarëve, Ten Hag nuk dëshiron që të bëjë shitje të cilat do ta dobësonin skuadrën.

Varane dëshiron të qëndrojë tek United, por mund të ndërrojë mendje së shpejti për shkak të mungesës së minutazhës. Francezi ka startuar në vetëm një ndeshje nga 13 të luajtura në total.

Ten Hag konfirmoi më herët gjatë këtij muaji se Van De Beek është i lirë që të largohet ndërsa situata e Sanchos mbetet e njëjta, që prej pezullimit të tij më 3 shtator. Tekniku holandez ka thënë se Sancho duhet të kërkojë falje në rast se dëshiron rikthimin në ekip, por një gjë e tillë duket e vështirë se do të ndodhë, andaj largimi i tij po konsiderohet i pashmangshëm.

Ndërkohë rënia e nivelit të lojës nga Casemiro, siç duket e ka bindur klubin që të shikojë për alternativa të tjera në treg dhe ta shesë atë.

Braziliani momentalisht është duke vuajtur nga një lëndim dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të paktën deri në fund të këti viti.

Martial në anën tjetër nuk ka arritur të luajë një ndeshje të plotë në Premier Ligën që nga janari i vitit 2021, kështu që United do ta lirojë atë gjatë verës.