Manchester United është gati t’i japë lamtumirën Raphael Varane, në janar apo në verë, ndonëse kjo mund të nënkuptojë se ai do të largohet me parametër zero. Mediat angleze raportojnë se klubi nuk do të ushtrojë klauzolën e zgjatjes së marrëveshjes mes palëve për një tjetër edicion.
“Daily Mail” bën të ditur se Mançestër Junajtid kishte mundësinë që të zgjaste deri në verën e vitit 2025 marrëveshjen me mbrojtësin francez i cili u vlerësua si një nga goditjet më të rëndësishme të klubit kur vendosi t’i bashkohej nga radhët e Real Madrid. Kjo do të thotë se që nga data 1 janar, Varane ka mundësinë të flasë me çdo klub tjetër për të diskutuar transferimin e tij, që në muajin e parë të vitit apo në verë me parametër zero.
Lëvizja e klubit anglez është disi e papritur, por është bërë me logjikën e drejtimit të ri që kanë marrë “djajtë e kuq”. Futbollisti 30-vjeçar paguhet 340 mijë paund në javë dhe sipas klubit kjo shifër është e lartë duke marrë në konsideratë problemet e vazhdueshme fizike të tij. Klubi është gati të diskutojë një marrëveshje të re me francezin nëse ai pranon të ulë pretendimet e tij financiare. /PanoramaSport/