Man United u rikthye te fitorja, Solskjaer: Eksperienca triumfoi

Ole Gunnar Solskjaer nuk u beson syve, pasi një javë më parë pa Manchesterin e tij të shkërmoqej përballë Liverpool, ndërsa pasditen e sotme “djajtë e kuq” jo vetëm shënuan tre herë në portën e Tottenhamit, por ruajtën portën të paprekur dhe mbi të gjitha nuk u dhanë asnjë shans kundërshtarëve.

Në përfundim të ndeshjes Solskjaer pranoi se kishte hedhur në fushë skuadrën më të vjetër në moshë, pasi donte t’i besonte eksperiencës, për të rikthyer normalitetin dhe nuk e fshehu kënaqësinë për atë që djemtë e tij bënë.

“Sot ishim të shkëlqyer, u lamë topin për 5-6 minuta, por më pas doli në pah eksperienca. Sot luanin futbollistët më të mëdhenj në moshë dhe eksperienca do dilte në pah patjetër. Sot të gjithë luajtëm si një grup i vërtetë, duke respektuar njëri-tjetrin dhe është jo e paktë që të mbash portën të paprekur e mbi të gjitha De Gean pa punë në një transfertë si kjo”, u shpreh norvegjezi.

Duke u ndalur te individët, Solskjaer nuk i kurseu komplimentet për emra si Ronaldo e Varane, të cilët iu bashkuan ekipit vetëm këtë verë, por lavdëroi mbi të gjithë uruguaianin Edinson Cavani.

“Ronaldon e njohim të gjithë tashmë dhe është gjithmonë aty për të shënuar apo asistuar. Është i jashtëzakonshëm. Sot ka bërë një punë mjaft të mirë edhe Varane, që është i shpejtë dhe ka eksperiencën e duhur për të lexuar lojën. Megjithatë do të vlerësoja mbi të gjitha paraqitjen e Cavanit. Kam tre vite trajner këtu dhe impenjimin që pashë në stërvitjen e tij të martën, nuk e kisha parë te asnjë lojtar. Liderët e vërtetë dalin në pah në momente të vështira”, u shpreh Solskjaer.


Shtuar 30.10.2021 22:10