Lutfi Dalipi rrëfen për formën, rekordin e asistimeve dhe të ardhmen e tij ndërkombëtare

Mesfushori shqiptar i FC Vaduzit, Lutfi Dalipi, po përjeton një sezon të jashtëzakonshëm në Superligën e Zvicrës. Në një intervistë për mediumin zviceran Blick, 20-vjeçari foli për rekordin e asistimeve që synon të thyejë, dëshirën e dikurshme për t’u bërë portier, lojtarin që e ka frymëzuar më shumë dhe mundësinë e ndryshimit të ekipit kombëtar.

Edhe pse sot luan si mesfushor sulmues, Dalipi thotë se do të mund të paraqitej edhe mes shtyllave në elitën zvicerane. Këtë e dëshmoi me humor teksa kujtoi momentin kur portieri i Vaduzit, Leon Schaffran, u përjashtua në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Luganos.

Të lidhura

None found

“Sapo Leon Schaffran mori kartonin e kuq, thashë menjëherë se mund të futesha unë në portë”, tregoi Dalipi me buzëqeshje gjatë bisedës me Blick.

Ai zbuloi se në moshë të vogël e kishte ëndërr të bëhej portier dhe këtë rol e mbajti deri në nivelin U13. Mirëpo, babai i tij e kishte kundërshtuar me shaka këtë zgjedhje. “Më tha se nuk do të më shihte më duke luajtur nëse do të bëhesha portier”, rrëfeu futbollisti.

Pavarësisht se babai i tij nuk është i interesuar për futbollin, këshilla duket se rezultoi e goditur. Talenti i lindur në kantonin e Fribourgut është shndërruar në një prej emrave më premtues të Superligës. Ai nisi të luante te FC Billens që në moshën trevjeçare, ndërsa më vonë, përmes përzgjedhjes kantonale të Fribourgut, u transferua te Young Boys.

Me klubin nga Berna, Dalipi ka kontratë deri në vitin 2030. Megjithatë, ai ende nuk ka debutuar me ekipin e parë. Pas një huazimi te FC Wil në Challenge League sezonin e kaluar, këtë edicion po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij te Vaduz në Superligë.

Rritja e madhe nën drejtimin e Marc Schneider

Ndryshimi në shifrat e tij është i dukshëm. Gjatë sezonit të kaluar, Dalipi regjistroi vetëm një asistim në nëntë ndeshje me Wil, ndërsa këtë sezon ka arritur në nëntë asistime pas dhjetë takimesh. Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë përmirësim ka pasur trajneri i Vaduzit, Marc Schneider.

“Më lejon të kem gjithë lirinë që më nevojitet. Nuk jam futbollist që qëndron i kufizuar në një pozicion të vetëm, por jam gjithmonë në lëvizje”, u shpreh mesfushori shqiptar.

Kur u pyet nëse synon të thyejë rekordin e asistimeve në Superligë, Dalipi fillimisht kërkoi të dinte se kush e mban atë. Rekordi i përket Xherdan Shaqirit, i cili dha 21 asistime në sezonin 2023/24, kur skuadra e tij fitoi kampionatin. “Shpresoj ta thyej atë rekord. Më pëlqen më shumë t’i krijoj një mundësi të mirë shokut të skuadrës sesa të shënoj vetë”, deklaroi ai.

Një prej idhujve të tij është Mesut Özil, i njohur për aftësinë e jashtëzakonshme për të asistuar. Dalipi e vlerëson gjermanin për mënyrën se si lexonte lojën. “Nuk ishte më i shpejti dhe as fizikisht nuk kishte cilësi të jashtëzakonshme, por dinte të gjente hapësirat dhe shokët e ekipit”, tha ai me entuziazëm. Për futbollistin shqiptar, lojtari më i mirë zviceran mbetet Xherdan Shaqiri.

Dalipi është pjesë e Zvicrës U21, por në të ardhmen mund të luajë edhe për Shqipërinë ose Kosovën. Për shkak të prejardhjes së nënës së tij, ai është gjithashtu i disponueshëm për Portugalinë. Megjithatë, ai nuk po e konsideron aktualisht një ndryshim të ekipit kombëtar.

“Në fund, është e pamundur t’i kënaqësh të gjithë”, tha Dalipi, i cili së fundmi është lidhur me disa klube nga ligat më të rëndësishme të Evropës.

Talenti që e shfaq futbollin si art

Ai pranoi se ishte ndier shumë mirë pasi kishte lexuar artikullin e Blick për të. “E lexova dhe u gëzova shumë. Më bëri krenar”, tha mesfushori. Megjithatë, interesimi i madh dhe zërat për të ardhmen nuk e shqetësojnë, pasi ai beson se hapi i radhës mund të jetë rikthimi te Young Boys në stadiumin Wankdorf.

“Ëndrra ime është që një ditë të luaj për YB”, deklaroi ai. Dalipi e di se konkurrenca në Bernë është e madhe dhe se një hapësirë për të në formacion mund të krijohet vetëm pasi Alvyn Sanches të largohet nga klubi.

Në shtator, ai tregoi në Wankdorf se mund të luajë në nivele të larta. Pavarësisht humbjes 2-4, Dalipi zhvilloi një paraqitje të fortë në fushën me bar artificial. Ai është i vetëdijshëm se Young Boys përfaqëson një nivel tjetër krahasuar me Vaduzin, ndaj po e shijon eksperiencën e tij në Rheinpark, ku presioni është më i vogël dhe mund të lëvizë ende i panjohur në rrugët e qytetit.

Gjatë një seti fotografik për Blick, Dalipi pozoi përpara muzeut të artit në Vaduz. Shumë prej kalimtarëve pyesnin se çfarë lloj artisti ishte, pa e kuptuar se bëhej fjalë për një futbollist që po e shfaq artin e tij në fushë. Nëse vazhdon me të njëjtin ritëm si këtë sezon, njohja e tij nga publiku duket se do të jetë vetëm çështje kohe.