Milani ka regjistruar fitoren e parë në “San Siro” këtë sezon, duke mposhtur Bolognan me rezultat minimal 1-0 në ndeshjen e javës së tretë të Serie A.
Pas humbjes në debutim kundër Cremonese-s, kuqezinjtë reaguan dhe morën një triumf shumë të vlefshëm para tifozëve të tyre.
Heroi i mbrëmjes ishte Luka Modrić. Mesfushori 40-vjeçar kroat, vendosi ndeshjen në minutën e 61-të me një goditje të saktë nga jashtë zonës, pas një asisti të Saelemaekers.
Ky gol, i pari për Modrić në Serie A, solli gëzim të madh te skuadra e drejtuar nga Massimiliano Allegri.
Megjithatë, Milani pati jo pak raste për të thelluar rezultatin. Gimenez goditi dy herë shtyllën (një prej tyre pas një aksioni kur topi kishte kaluar vijën fundore), ndërsa Estupiñan dhe Ricci u ndalën po ashtu nga shtylla.
Nga ana tjetër, lajmi i hidhur për kuqezinjtë ishte dëmtimi i portierit Mike Maignan, i cili u detyrua të linte fushën për shkak të një problemi në pulpë.
Tensioni arriti kulmin në fundin e takimit, kur VAR ndërhyri dhe anuloi një penallti të akorduar fillimisht për Nkunku. Ky vendim solli protesta të ashpra nga Allegri, i cili u ndëshkua me karton të kuq.
Me këtë fitore, Milani rikthehet në garë për kreun e renditjes, duke marrë moralin e duhur pas një starti jo të lehtë në kampionat.
Milani kalon në avantazh kundër Bolognas me golin e parë në Itali të Luka Modrić. Loftus-Cheek pason në krahun e djathtë për Saelemaekers, i cili depërton në zonë dhe shërben topin në qendër për ish-mesfushorin e Real Madridit: goditje precize dhe topi përfundon pas shpinës së Skorupskit në minutën e 61-të. Kuqezinjtë në epërsi 1-0.