Luhen dy ndeshjet e fundit të javës, Tirana e Kukësi për fitore

E diela e Abissnet Superiores nis me Tiranën që zbret në fushë në orën 13:45 përballë Egnatias së ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit shqiptar. Bardheblutë e Orges Shehit në kërkim të konfirmimit e madje dhe progresit pas startit me fitoren 4-2 ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë, ku nuk munguan sinjalet shpresëdhënëse për një Tiranë pretendente për t’u rikthyer në fronin e futbollit shqiptar. Përballë korçarëve ishte një fitore e “gatuar” në pjesën e dytë, me Tiranën që shënoi 3 gola, dhe trajneri mund të paraqesë një skuadër ndryshe , me Tolin dhe Najdovskin që pasi dhanë sinjale pozitive duke u futur nga stoli këtë herë rrisin kuotat për të qenë titullarë në vend të Toshevskit dhe Behiratche.

Në portë përvijohet rikthimi i Visar Bekajt, një garanci më shumë mes shtyllave. Egnatia ndërkohë në sfidën debutuese mori konfirmimin se misioni në elitë do të jetë i vështirë me humbjen 3-1 ndaj Kukësit, dhe trajneri Magani që kulmin e karrierës si teknik e ka patur pikërisht te Tiranë e di se në Selman Stërmasi do të jetë para një prove të fortë. Gjithsesi premisat për të bërë mirë për skuadrën e Rrogozhinës nuk mungojnë, falë investimeve për ndërtimin e një skuadre të denjë për elitën me shumë elementë që e njohin mirë Superioren, duke nisur nga Telushi, Shtubina, Krasniqi, Imeri e të tjerë.

Edhe pse me Egnatian e kthyer pas shumë kohësh në elitë precedentët në takimet zyrtare datojnë prej plot 16 vitesh, skuadrat e njohin njëra tjetrën pasi në fundin e korrikut të kaluar u përballën në një miqësore që përfundoi në barazim 2-2. Rezultat që ndoshta do t’i shkonte për shtat sërish skuadrës së Maganit, ndërsa për Tiranën e Shehit, për objektivat, historinë, dhe prishmërinë e madhe fitorja mbetet një detyrim.

Më 16:45 vëmendja do të spostohet në “Elbasan Arena”, ku Kukësi do të presë Kastriotin. Verilindorët treguan një nivel të kënaqshëm në sfidën e javës së parë ndaj Egnatias dhe sot do të kërkojnë konfirmimin me një tjetër sukses ndaj krutanëve.

Grupi në dispozicion të trajnerit Longo është i plotë dhe në fushë pritet të konfirmohet formacioni që fitoi në Rrogozhinë. Nga ana tjetër, krutanët e nisën sezonin me humbje ndaj Dinamos dhe pritet të vuajnë jo pak në javët e para, për shkak të një merkatoje të vonuar, pasi shumë lojtarë janë afruar rishtazi dhe do të duhet kohë për t’u përfshirë në manovrën e lojës së ekipit.


Shtuar 19.09.2021 09:09