Liverpooli futet në garë për transferimin e njërit prej lojtarëve më të kërkuar në Evropë

Liverpooli i është bashkuar garës për të nënshkruar me njërin prej lojtarëve më të kërkuar në Evropë, sipas një raportimi të ri.

‘Të Kuqtë’ do të futen në një epokë të re sezonin e ardhshëm nën urdhrat e Arne Slot, i cili do të zëvendësojë Jurgen Kloppin pasi gjermani i dha fund aventurës nëntëvjeçarë në ‘Anfield’.

Slot do të synojë që të ketë një ndikim të madh gjatë sezonit të tij të parë tek Liverpooli, ndërsa do të synojë që të përmirësojë pozitën e tyre në tabelë për sezonin e ardhshëm, duke shpresuar në transferimin e disa lojtarëve.

Sipas gazetarit italian Gianluca Di Marzio, holandezi është i etur për ta bërë yllin e Lille, Leny Yoro, transfeirmin e tij të parë tek Liverpooli.

Qendërmbrojtësi 18-vjeçar ka bërë 32 paraqitje në Ligue 1 për ekipin francez këtë sezon, duke qenë autor i dy golave.

Di Marzio pretendon se Liverpooli është futur në garë për mbrojtësin e ri, i cili ka reprezentuar Francën U23 dhe mund të paraqitet në Lojërat Olimpike këtë verë në Paris.

Sidoqoftë, për të siguruar shërbimet e tij, Liverpooli duhet të mposht konkurrencën e disa klubeve të mëdha evropiane.

PSG, Real Madrid dhe Manchester United që të tria janë lidhur me një transferim të mundshëm të francezit, i cili do të hyj në vitin e tij të fundit të kontratës me Lille këtë verë.

Siç qëndrojnë gjërat momentalisht dhe sipas asaj që raporton e përditshmja franceze L’Equipe, Real Madridi po kryeson garën për nënshkrimin me Yoron. /Telegrafi/


Shtuar 25.05.2024 20:01