Lionel Messi, i pikëlluar thellë, i dha lamtumirën e fundit babait të tij, Jorge Messi, i cili u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare.
Varrimi u mbajt në një ceremoni private në varrezat “El Prado”, në periferi të Rosarios, në provincën Santa Fe. Për t’i siguruar familjes qetësi dhe privatësi në këto çaste të dhimbshme, pjesëmarrja u kufizua vetëm te të afërmit, ndërsa u morën masa të jashtëzakonshme sigurie.
Të lidhura
None found
Të shtunën në mbrëmje, ylli i Inter Miamit mbërriti nga Shtetet e Bashkuara me avion privat, i shoqëruar nga bashkëshortja Antonela Roccuzzo dhe fëmijët e tyre.
Në ceremoni ata u bashkuan me nënën e Messit, Celia Cuccittini, si edhe me vëllezërit dhe motrën e tij, Matias, Rodrigo dhe Maria Sol, për të përcjellë për herë të fundit Jorge Messin.
Që prej pasdites së diel, parku “El Prado” nuk lejoi hyrjen e vizitorëve, duke krijuar kushtet që ceremonia të zhvillohej larg syrit të publikut dhe në qetësi.
Pavarësisht karakterit privat të ceremonisë, shumë tifozë u grumbulluan në aeroportin e Rosarios dhe pranë mureve të varrezave, për t’i qëndruar pranë kapitenit të Argjentinës.
Mbështetja e bashkëkombësve në këtë periudhë të vështirë u shpreh edhe përmes pankartave. Në njërën prej tyre lexohej: “Fuqia, Leo, të duam”.
Ngushëllime për familjen Messi përcolli edhe kryetari i Rosarios, Pablo Javkin. Ai njoftoi se autoritetet vendore ishin mobilizuar për të ruajtur sigurinë dhe privatësinë e familjarëve gjatë ceremonisë.
Në kujtim të Jorge Messit, Federata Argjentinase e Futbollit vendosi mbajtjen e një minute heshtjeje përpara ndeshjeve të kësaj fundjave, në të gjitha kategoritë profesionale dhe të të rinjve.
Si shenjë zie për babanë e yllit argjentinas, lojtarët, pjesëtarët e stafit teknik dhe gjyqtarët vendosën gjithashtu shirita të zinj në krah.
