Lëndimi e lë Donat Rrudhanin jashtë Kosovës, Franco Foda fton Meriton Korenicën

Donat Rrudhani do ta humbasë grumbullimin e ardhshëm të Kombëtares së Kosovës për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë stërvitjes së djeshme.

Të lidhura

None found

Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se dëmtimi ia pamundëson Rrudhanit bashkimin me “Dardanët”. Në vend të tij, përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar Meriton Korenicën, i cili fillimisht ishte përfshirë në listën e zgjeruar.

Me këtë vendim, Korenica rikthehet në listën e Kosovës për katër përballjet e rëndësishme që e presin përfaqësuesen në Ligën e Kombeve.

Seria e ndeshjeve nis më 24 shtator, kur “Dardanët” do ta presin Irlandën në Prishtinë. Tri ditë më pas, Kosova do të udhëtojë drejt Austrisë për t’u përballur me përfaqësuesen austriake.

Më 1 tetor, Kosova do të luajë kundër Izraelit në Debrecen të Hungarisë, ndërsa cikli do të përfundojë më 4 tetor me ndeshjen ndaj Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Meriton Korenica do të jetë në dispozicion të Franco Fodës për të katër këto ndeshje të Ligës së Kombeve.