Lautaro: Nuk ka kohë për të humbur, gati për të sfiduar Meksikën

Lautaro Martinez, i cili foli së bashku me trajnerin Scaloni në konferencën për shtyp, foli kështu për ndeshjen kundër Meksikës dhe atë që Argjentina nuk duhet të bëjë për të shmangur një humbje të dytë.

“Ne ishim entuziastë për fillimin e Kupës së Botës dhe ta bënim atë me një fitore. Mendoj se humbëm për disa detaje dhe gabitem tona. Tani që humbja është pas nesh do të mendojmë për atë që kemi përpara, që është Meksika dhe mendoj se duhet të jemi të përgatitur për të përballuar ndeshjen që po vjen. Nuk ka kohë për të humbur në Kupën e Botës, duhet të reagojmë menjëherë.

Kujtimi i Maradonës? Ne e mbajmë gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë. Për ne argjentinasit ai ishte një person shumë i rëndësishëm, por edhe për të gjithë futbollin botëror. Ne e kujtojmë atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Është një ditë e trishtuar për të gjithë dhe shpresojmë që nesër t’i japim një gëzim.

Presioni për një humbje tjetër? Nuk ka presion, sepse ne kemi besim te puna jonë, në atë që po bëjmë, në stafin stërvitor dhe te secili prej nesh. Jemi të qetë. E kemi harruar atë që ndodhi ndaj Arabisë Saudite dhe tashmë mendojmë vetëm për Meksikën. Jemi të qetë dhe të sigurt se do të futemi në fushë ashtu siç duhet për të përfaqësuar këtë ekip, këtë komb”, është shprehur sulmuesi i Interit dhe Argjentinës./ h.ll/albeu.com


Shtuar 25.11.2022 15:22