Khvicha Kvaratskhelia është i bindur se Paris Saint-Germaini ka ende shumë për të arritur dhe se skuadra franceze mund të triumfojë në çdo kompeticion edhe gjatë këtij sezoni.
Të lidhura
None found
Në një intervistë dhënë gazetës franceze L’Equipe, reprezentuesi i Gjeorgjisë ka folur për mentalitetin e fortë të ekipit parisien. Sipas tij, dëshira e vazhdueshme për fitore është një nga faktorët që mund ta çojë PSG-në drejt objektivave më të mëdha.
“Me këtë skuadër, gjithçka është e mundur! Nëse e ruajmë këtë uri për fitore, mund t’i fitojmë të gjithë trofetë”, ka deklaruar ish-futbollisti i Napolit.
Megjithatë, sulmuesi gjeorgjian pranon se përsëritja e rezultateve të suksesshme nuk është aspak e lehtë. Ai thekson se trofetë kërkojnë përkushtim të madh, ndërsa mbajtja e një niveli të lartë paraqet një sfidë edhe më të madhe.
“Është veçanërisht e vështirë të vazhdosh të fitosh. Kur e do futbollin, e di se fitimi i trofeve nuk është i lehtë”, ka thënë ai.
Kvaratskhelia ka vlerësuar gjithashtu qëndrimin e skuadrës ndaj çdo përballjeje. “Por ta ruash këtë nivel është edhe më e vështirë. E dua këtë skuadër të PSG-së, e cila, pavarësisht kundërshtarit apo ndeshjes, është e uritur dhe dëshiron gjithmonë të fitojë”, ka shtuar ai.
Paris Saint-Germaini e ka nisur sezonin e ri me objektiva të mëdha. Fjalët e Kvaratskhelias u dërgojnë një sinjal të qartë rivalëve se kampionët e Evropës nuk synojnë të ndalen dhe nuk kënaqen vetëm me trofetë e fituar deri tani.
