Kupa e Shqipërisë U-17 & U-19 / Zbardhen çiftet gjysmëfinaliste, ja rezultatet e ndeshjeve çerekfinale

Janë zhvilluar të shtunën dhe të dielën ndeshjet çerekfinale të vlefshme për Kupën e Shqipërisë për grupmoshat U-17 dhe U-19.

Në këtë fazë u vunë përballë njëra-tjetrës tetë ekipet pjesëmarrëse për çdo grupmoshë, me ndeshjet që u luajtën në Kamëz dje dhe sot.

Ditën e shtunë u zhvilluan katër takimet e para, nga dy respektivisht për çdo grupmoshë, ndërsa këtë të diel u luajtën edhe katër sfidat e tjera që kanë përcaktuar kështu edhe ekipet që kalojnë në gjysmëfinale.

Skënderbeu, Tirana, Partizani e Teuta janë gjysmëfinalistet e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për grupmoshën U-17.

Në këtë fazë, Skënderbeu dominoi në sfidën ndaj Dinamos dhe fitoi me rezultatin e thellë 5-1. Edhe Tirana nuk e vendosi në diskutim kualifikimin pasi triumfoi 4-1 ndaj Laçit duke avancuar në gjysmëfinale.

Në takimet e ditës së diel, Partizani fitoi me rezultatin e thellë 4-0 ndaj Apolonisë, ndërsa Teuta triumfoi minimalisht 1-0 ndaj Vllaznisë.

Sipas skemës së përcaktuar, Skënderbeu do të përballet në gjysmëfinale me Tiranën, ndërsa Partizani me Teutën.

Kupa e Shqipërisë U-17, ndeshjet çerekfinale

Skënderbeu – Dinamo 5-1

Tirana – Laçi 4-1

Partizani – Apolonia 4-0

Teuta – Vllaznia 1-0

Gjysmëfinalet

Teuta – Partizani

Skënderbeu – Tirana

Skënderbeu, Bylis, Partizani dhe Laçi janë ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë për moshën U-19.

Të shtunën u luajtën dy takimet e para çerekfinale. Ndeshja Skënderbeu – Tirana nuk prodhoi asnjë gol pasi përfundoi 0-0 dhe gjithçka u vendos nga penalltit. Skuadra e Skënderbeut u tregua më e saktë dhe në fund triumfoi 4-3.

Sfida tjetër, Bylis – Dinamo përfundoi me fitoren e ballshiotëve me rezultatin 4-2.

Të dielën u luajtën edhe dy takimet e tjera. Partizani nuk e vendosi në diskutim fitoren ndaj Apolonisë dhe triumfoi me rezultatin 2-0, ndërsa ndeshja Vllaznia – Laçi përfundoi 1-2 dhe në gjysmëfinale kaluan laçianët.

Sipas skemës së përcaktuar, Skënderbeu do të përballet në gjysmëfinale me Partizanin, ndërsa Bylisi me Laçin.

Kupa e Shqipërisë U-19, ndeshjet çerekfinale:

Skënderbeu – Tirana 0-0 (Pen 4-3)

Bylis – Dinamo 4-2

Partizani – Apolonia 2-0

Vllaznia – Laçi 1-2

Gjysmëfinalet

Skënderbeu – Partizani

Bylis – Laçi /balkanweb/


Shtuar 14.01.2024 17:01