Kupa e Shqipërisë: Partizani fiton derbin dhe siguron gjysmëfinalen (VIDEO)

Partizani ka fituar sot derbin me Dinamon, duke prerë biletën për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.

Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë pritej një duel i luftuar mes dy ekipeve dhe ashtu ka qenë në “Air Albania”, edhe pse në fakt pjesa e parë pa më shumë skuadrat të mbroheshin, të frikësuara se mos gabonin.

Sfida u zhbllokua në fund të pjesës së parë, kur Skuka shënoi në portën e Dinamos duke i dhënë avantazhin të kuqve ndaj skuadrës e cila e kishte lënë të largohej në merkaton e janarit. Blutë u munduan të reagonin në pjesën ë dytë, por në ato pak raste që krijuan, Hoxha u tregua i vëmendshëm, duke ndalur tentativat e tij.

Kështu, Partizani mori fitoren minimale që e kalon në katërshen e Kupës, duke qenë ende në garë për një vend në Europë edhe nëpërmjet këtij turneu. Ndërsa tani Dinamo duhet të përqendrohet vetëm në luftën për mbijetesë, pasi ka dështuar edhe në atë që ishte kthyer në objektivin kryesor të sezonit për blutë.


Shtuar 10.02.2022 20:03