Kumbulla optimist: Duam të kapim fazën play-off

Marash Kumbulla ishte një nga dy lojtarët e kombëtares shqiptare që dolën në konferencë për shtyp këtë të hënë në vigjilje të sfidës ndaj San Marinos.

Mbrojtësi i Romës foli për suksesin ndaj Hungarisë për rastin e humbur ndaj përfaqësueses maxhare si dhe për rivalët e kuqezinjve në garën për vendin e dytë në grup.

“Jam shumë i lumtur që dje fituam dhe gjithë skuadra luajti mirë. Unë besoj që përveç dy rasteve që gabova, normale rezultati tregon që s’kemi luajti mirë ndaj Polonisë. Por, jam i lumtur për ndeshjen e djeshme.”

“Rasti i humbur? Nuk kisha çfarë të mendoja. Shkova shpejt në mbrojtje. Humba një rast të rëndësishëm, por ndodh në futboll. Nuk ke çfarë të bësh. Siç e thashë më parë, isha pak pafat, ishte top i shpejtë. Nuk mund të flasim për gjërat që kanë kaluar, është e kotë”.

“Minutat? Shokët e skuadrës më ndihmojnë shumë. Nuk kam problem të luaj me asnjë. Asnjë lojtar nuk është titullar i padiskutueshëm. E rëndësishme është ekipi kombëtar. Kush luan do të japë 100 përqindëshin.”

“Shanset për kualifikim? Dëshira jonë është të bëjmë më mirë, të shkojmë në play-off. Është e vështirë se janë ekipe të forta. Do të japim maksimumin në fushë, ishalla po shkojmë në play-off”.

“Kundërshtari direkt? Besoj se të dyja janë kundërshtar direkt si Polonia dhe Hungaria. Kanë rivalitet, por unë besoj se janë të dyja. Shpresoj që ishalla po bëjnë ndonjë gol, jo vetëm me San Marinon por edhe me tjerat”, përfundoi ai.


Shtuar 6.09.2021 15:20