Kroos rikthehet zyrtarisht te Gjermania, ftohet për ndeshjet ndaj Francës dhe Holandës

Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos është ftuar për dy ndeshjet e ardhshme miqësore të Përfaqësueses së Gjermanisë në muajin mars.

Kroos lëshoi ​​para disa javësh një koment në rrjetet e tij sociale për të konfirmuar rikthimin e tij në ekipin gjerman pasi njoftoi lamtumirën e tij më 2 korrik 2021.

Tani nuk ka shkuar shumë kohë dhe trajneri i Panzerëve, Julian Nagelsmann, e ka ftuar yllin e Real Madridit për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares.

Gjermani do të ketë dy ndeshje miqësore kundër Francës më 23 mars dhe kundër Holandës më 26 mars përpara se të hyjë në Grupin A të Euro 2024 (Gjermani, Skoci, Hungari dhe Zvicër).

Me ardhjen e ‘8’-shit të Los Blancos, Nagelsmann do të ketë në dispozicion një listë me lojtarët që do t’i ketë zili e gjithë Evropa.

Mesfusha unike e gjermanëve përmban emra si Ilkay Gundogan, Leon Goretzka, Joshua Kimmich, Jamal Musiala dhe Florian Wirtz.

Emra të rinj në listën e Gjermanisë janë Maximilian Beier dhe Aleksandar Pavlovic. /Telegrafi/


Shtuar 14.03.2024 15:42