Kosova do të luajë sot, të dielën, një prej sfidave më të rëndësishme të këtij cikli në Ligën e Kombeve, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” do të presë Austrinë.
Të lidhura
None found
Takimi do të nisë në orën 18:00 dhe pritet të zhvillohet para një stadiumi të mbushur me tifozë kosovarë, të cilët do të përpiqen t’i japin mbështetjen e tyre Dardanëve për të siguruar një rezultat pozitiv.
Skuadra e drejtuar nga Franco Foda vjen në këtë përballje pas barazimit 0-0 me Izraelin. Në dy ndeshjet e mëparshme, Kosova fitoi 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa pësoi humbje 3-1 në transfertë kundër Austrisë.
Pas këtyre rezultateve, Dardanët kanë mbledhur katër pikë, ndërsa Austria kryeson grupin me shtatë pikë.
Një sukses ndaj Austrisë do ta mbante Kosovën në garë për vendin e parë dhe do t’i jepte mundësinë skuadrës vendase të shfrytëzonte avantazhin e fushës. Përballja në Prishtinë është gjithashtu një mundësi për të marrë revansh sportiv pas humbjes së pësuar në Vjenë.
Austria, e drejtuar nga Ralf Rangnick, mbërrin në Prishtinë me synimin për të vijuar serinë pozitive dhe për t’iu afruar edhe më shumë objektivit të saj në grup.
Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë në qendër të vëmendjes në orën 18:00, kur Kosova dhe Austria do të përballen në një duel me rëndësi të veçantë për garën për kreun e grupit.
