“Kosova është Serbi”, FFK do të dorëzojë padi në UEFA pas incidenteve në Bukuresht

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se po përgatit komentet e nevojshme dhe do të dorëzojë padi në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), për shkak të, siç tha, shkeljeve të bëra në ndeshjen kundër Rumanisë.

Në Bukuresht, ndeshja midis Kombëtares së Rumanisë dhe asaj të Kosovës u ndërpre për 50 minuta, pasi më 12 shtator tifozët shpalosën një baner ku shkruhej “Kosova është Serbi”, shkruan REL.

“Tifozët e kombëtares së futbollit të Rumanisë, përmes gjuhës së urrejtjes e dëmtimit të imazhit të vetë kombëtares përmes shprehjeve të tilla dhe sjelljeve jo sportive kanë denigruar ndeshjen e mbrëmshme të futbollit”, tha FFK-ja.

Federata shpjegoi se pas thirrjeve nacionalistëve të tifozëve ka reaguar menjëherë “duke kërkuar suspendim të lojës deri në tërheqjen e pankartave dhe slloganeve të urrejtjes gjatë ndeshjes. Kjo kërkesë e FFK-së është miratuar nga delegati i ndeshjes dhe derisa janë tërhequr të gjitha pankartat dhe janë ndalur të gjitha thirrjet urrejtëse kundër Kosovës nuk ka rifilluar ndeshja”.


Shtuar 13.09.2023 19:39