Koret raciste në drejtim të Maignan, bëjnë që FIFA të reagojë – institucioni më i lartë i futbollit propozon ndryshimin e rregullave

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka kërkuar një ndryshim të madh të rregullave pas dy incidenteve të fundit me racizëm në ndeshjen mes Udineses dhe Milanit, si dhe një rasti tjetër në Angli.

Të shtunën, lojtarët e Milanit u larguan nga fusha pasi portieri Mike Maignan, u raportua se ka dëgjuar tifozët kundërshtar duke e quajtur ‘majmun’ në “Stadio Friuli”.

“Rossonerët” eventualisht u rikthyen pastaj në fushë dhe morën një fitore me rezultat 3-2, duke shënuar golin e tretë në minutat e fundit të ndeshjes.

Ndërkohë, në Angli në ndeshjen mes Sheffield Wednesday dhe Coventryt, futbollisti Kasey Palmer gjithashtu ishte ‘viktimë’ e abuzimit racor dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta, me gjyqtarët që patën një bisedë me trajnerët e dy skuadrave.

Duke marrë parasysh këtë, Infantino tha se dënime më të ashpra duhet të jenë prezente në futboll.

“Përkundër hapave që po ndërmarrim momentalisht, ne duhet të implementojmë edhe rregullën e humbjes në mënyrë automatike të ndeshjes për ekipin tifozët e të cilës bëjnë abuzim racor dhe bëjnë që ndeshja të ndërpritet”, ka shkruar i pari i FIFA-s në platformën X (ish-Twitter).

“FIFA dhe futbolli shfaqin solidaritet të plotë me viktimat e racizmit dhe çfarëdo forme të diskriminimit. Një herë e përgjithmonë: Jo racizmit! Jo çdo forme të diskriminimit!”.

“Ngjarjet që ndodhën në Udine dhe Sheffield të shtunën janë totalisht të gabuara dhe të papranueshme. Lojtarët që janë prekur nga ngjarjet e së shtunës kanë mbështetjen time të pakompromis”, përfundoi Infantino./Telegrafi/


Shtuar 21.01.2024 16:01