“Jam sinqerisht shumë i penduar”, deklaroi Hong Myung-bo teksa dha dorëheqjen të dielën, vetëm disa orë pasi u vulos eliminimi i Koresë së Jugut nga Kupa e Botës 2026.
Të lidhura
None found
Largimi i një prej figurave më të mëdha të futbollit korean, kapitenit të kombëtares që arriti gjysmëfinalen historike në Botërorin 2002, duket se është vetëm hapi i parë i ndryshimeve të mëdha që priten në futbollin e vendit.
Edhe Park Ji-sung, një tjetër emër i madh i futbollit korean, reagoi ashpër për situatën.
“Është e dhimbshme që kemi mbërritur në një pikë ku duhet të pyesim veten se si përfunduam në këtë situatë”, u shpreh ish-mesfushori i Manchester United.
Kriza ka arritur përmasa të tilla sa mediat koreane kanë raportuar edhe për kërcënime me vdekje ndaj Hong Myung-bo. Për arsye sigurie, autoritetet mbajtën të fshehtë si vendndodhjen, ashtu edhe orarin e kthimit të lojtarëve dhe stafit në Korenë e Jugut.
Dështimi nuk nisi në Botëror
Dalja në fazën e grupeve ishte vetëm shpërthimi i fundit i një krize që kishte kohë që po përvëlohej.
Koreja e Jugut e hapi turneun me suksesin 2-1 kundër Republikës Çeke, por më pas u mposht 1-0 nga Meksika.
Si pasojë, skuadra u detyrua të synonte të paktën një barazim përballë Afrikës së Jugut për të kaluar më tej.
Megjithatë, Hong vendosi ta linte në stol kapitenin Son Heung-min, ndërsa ekipi dhuroi një nga performancat më të dobëta të epokës moderne.
Lee Young-pyo, ish-mbrojtësi i Tottenhamit, e përshkroi atë si “ndeshjen më të keqe të një kombëtareje koreane në shekullin XXI”.
Pas humbjes, një gazetar e pyeti trajnerin nëse skuadra kishte pësuar helmim ushqimor, pasi ishte e vështirë të gjendej një arsye për atë paraqitje.
Tensionet në kampin korean ishin shfaqur edhe më herët gjatë turneut. Disa gazetarë vendas u dëgjuan teksa bënin shaka për shërbimin ushtarak të Son Heung-min.
Sulmuesi kishte përfituar përjashtim nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak 21-mujor pasi fitoi medaljen e artë me Korenë e Jugut në Lojërat Aziatike 2018.
Pas këtyre komenteve, futbollistët bojkotuan për disa ditë aktivitetet me mediat vendase.
Son, i cili mbush 34 vjeç në korrik, mund të jetë pranë fundit të rrugëtimit të tij me kombëtaren. Ceremonia e parashikuar e pritjes në aeroportin Incheon u anulua për arsye sigurie, ndonëse zemërimi i tifozëve ka qenë i përqendruar kryesisht te drejtuesit e futbollit dhe jo te lojtarët.
Ndërhyn edhe Presidenti i vendit
Situata mori edhe më shumë peshë në nivel kombëtar pasi Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, reagoi publikisht në rrjetet sociale.
Ai e cilësoi eliminimin si “jo vetëm zhgënjyes, por edhe tronditës”, duke thënë se ai erdhi si pasojë e “dështimit organizativ dhe të menaxhimit të personelit”.
“Kur favorizimi dhe lidhjet personale vendosen mbi meritën në përzgjedhjen e drejtuesve, rezultati është po aq i parashikueshëm sa letra që digjet nga zjarri”, shkroi presidenti.
Kritika ndaj Federatës
Në epiqendër të zemërimit ndodhet Chung Mong-gyu, presidenti i Federatës Koreane të Futbollit, i cili emëroi Hong Myung-bo në korrik 2024 duke shmangur procedurat e zakonshme të përzgjedhjes, ashtu si kishte vepruar më parë edhe me Jurgen Klinsmann.
Ky vendim shkaktoi protesta që në ndeshjen e parë të Hong në stol dhe pakënaqësia nuk u shua asnjëherë.
Madje, edhe Ministria e Sportit nisi një hetim ndaj federatës dhe rekomandoi pezullimin e Chung dhe disa zyrtarëve të tjerë.
Pavarësisht kësaj, ai siguroi një mandat të katërt në krye të federatës në shkurt 2025, pasi mori një vendim gjykate në favorin e tij.
Në maj, Chung kishte bërë të ditur se do të largohej pas mbylljes së Kupës së Botës.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për polemikat dhe kritikat gjatë mandatit tim. Të gjitha burojnë nga mangësitë e mia”, kishte deklaruar ai.
Japonia ka lënë pas Korenë e Jugut
Gjatë periudhës së Chung në drejtimin e federatës, Koreja e Jugut ka mbetur pas rivalit të saj historik, Japonisë.
Dikur, futbolli aziatik udhëhiqej nga Koreja. K League u themelua në vitin 1983 si kampionati i parë profesionist në Azi, plot dhjetë vjet para krijimit të J League japoneze, ndërsa klubet koreane sundonin turnetë kontinentale.
Në tetor, Brazili e mposhti Korenë e Jugut 5-0 në Seul, ndërsa vetëm pak ditë më vonë humbi 3-2 ndaj Japonisë në Tokio. Në mars, Koreja u mund 4-0 nga Bregu i Fildishtë, ndërsa Japonia hyri në histori duke fituar 1-0 ndaj Anglisë në “Wembley”, si kombëtarja e parë aziatike që arrin një sukses të tillë.
Ndërkohë, klubet japoneze po dominojnë rivalët koreanë në garat aziatike dhe po dërgojnë më shumë futbollistë në nivelet më të larta të futbollit europian.
Një tifoz korean e përshkroi kështu gjendjen në rrjetet sociale:
“Japonia punon me një vizion 100-vjeçar ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim, ndërsa Koreja e Jugut kalon nga një trajner te tjetri sipas dëshirës së një njeriu që nuk di asgjë për futbollin”.
Me trajnerin tashmë të larguar, presidentin e federatës në dalje dhe me thirrjet për reforma që po shtohen dita-ditës, shumë analistë vlerësojnë se dështimi në Kupën e Botës 2026 mund të kthehet në pikën e kthesës për një prej fuqive tradicionale të futbollit aziatik.

