Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për ndeshjen që dyshohet se është e kurdisur mes Ballkanit dhe Dinamo Zagrebit, këtë e ka konfirmuar zëdhënësja Laureta Ulaj.
Ballkani shënoi një fitore të madhe ndaj gjigantit kroat në “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:0 në kuadër të Ligës së Konferencës, derbi që ishte zhvilluar më 5 tetor 2023.
Megjithatë, loja dyshohet se është e kurdisur dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
“E konfirmojmë se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore nga Prokurori i Shtetit lidhur me këtë çështje”, konfirmoi Ulaj për Nacionalen.
Ballkani në atë sfidë kishte shënuar një fitore mjaft komode ndaj Dinamos, skuadër të cilën e dominoi në të gjitha aspektet për të fituar në fund me rezultat 2:0.
Sidoqoftë, kampionit të Kosovës nuk është që i eci mbarë në ndeshjet e mbetura, sidomos në atë kthyese në Kroaci, ku pësoi humbje me rezultat 3:0.