Konfirmohet El Classico i parë për këtë vit: Barcelona kalon në finale të Superkupës së Spanjës, aty ku e pret Real Madridi

Barcelona ka kaluar në finale të Superkupës së Spanjës, pasi mposhti Osasunën me rezultat 2-0, ndërsa të dielën e kësaj jave të do të përballet me Real Madridin për trofeun.

Katalunasit e nisën më mirë ndeshje, kur rrezikuan me anë të Ferran Torres pas vetëm tetë minutash, por që goditja e tij shkoi jashtë.

Një mundësi të artë shënimi e lëshoi edhe Robert Lewandowski (13’), por që portieri kundërshtar bëri pritje bravuroze.

Sulmuesi polak nuk arriti të shënonte edhe pas gjysmë ore loje, ndërsa goditja e tij me kokë shkoi jashtë.

Goli i parë në këtë ndeshje u shënua në minutën e 59-të, kur Lewandowski u asistua nga Ilkay Gundogan, për 1-0.

Barcelona e vulosi fitoren me anë të Lamine Yamal, që realizoi në minutën e 90+3-të për 2-0, për të kaluar në finale të Superkupës së Spanjës, aty ku të dielën përballet me Real Madridin në El Clasicon e parë për këtë vit. /Telegrafi/


Shtuar 11.01.2024 22:00