Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka mbajtur sot (e premte) një konferencë për shtyp para duelit ndaj Crystal Palace që do të zhvillohet nesër (e shtunë) me fillim nga ora 13:30, në kuadër të Ligës Premier.
Mes të tjerash, atij iu shtrua pyetja edhe për transferimet e mundshme të “Topçinjve” gjatë këtij afati kalimtar, sidomos duke marrë parasysh zërat që lidhnin Arsenalin me transferimin e Karim Benzemas.
Sidoqoftë, tekniku spanjoll duket se e ka përjashtuar mundësinë për të nënshkruar me Benzeman apo ndonjë sulmues tjetër gjatë këtij muaji.
“Jo, sepse unë i dua lojtarët që i kam”, është përgjigjur Arteta në pyetjen se a do të nënshkruajë Arsenali me ndonjë sulmues gjatë këtij afati kalimtar.
Emri i Benzemas ishte lakuar së fundmi në media si një objektiv surprizë për klubin londinez, duke marrë parasysh faktin që ata kanë shënuar vetëm tri herë në gjashtë ndeshjet e tyre të fundit.
Francezi ende ka dy vite të mbetura në kontratën e tij me Al-Ittihad në Arabi, por ai nuk është i lumtur me faktin se si po shkojnë gjërat momentalisht.
Al-Ittihad fitoi titullin sezonin e kaluar, mirëpo janë duke hasur në vështirësi gjatë këtij edicioni të ri, teksa për momentin gjejnë veten në vendin e shtatë në tabelë, 25 pikë larg liderit Al-Hilal.
Lajm i mirë për tifozët e Arsenalit është se Gabriel Jesus pritet të jetë i gatshëm për duelin ndaj Crystal Palace. Braziliani ka shënuar vetëm tre gola gjatë këtij edicioni në Ligën Premier. /Telegrafi/