Që prej verës së vitit 2021, kur kalimi i Harry Kane te Manchester City u prish në çastet e fundit, rrugëtimi i tij është vënë vazhdimisht në peshore me atë të Erling Haaland.
Të lidhura
None found
Kur Haaland u transferua një vit më pas te kampionët e Anglisë, ai i udhëhoqi drejt tripletës historike. Në të njëjtën kohë, Kane vijoi të qëndronte kapiten i Tottenhamit, ende pa trofe dhe me ndjesinë se kishte lënë pas mundësinë më të madhe të karrierës së tij.
Sot situata është krejt tjetër. Pas lëvizjes te Bayern Munich në vitin 2023, Kane i dha fund etiketës së “lojtarit pa trofe”, duke fituar dy tituj të Bundesligës dhe duke u shpallur dy herë fitues i Këpucës së Artë Evropiane si golashënuesi më i mirë i kontinentit.
Të shtunën, të dy do të jenë përballë në çerekfinalen e Kupës së Botës, si udhëheqësit kryesorë të Anglisë dhe Norvegjisë, në një sfidë që pritet të përcaktojë skuadrën gjysmëfinaliste.
Dy emrat më të rrezikshëm të sulmit në futbollin aktual
Çdo analizë për Kane dhe Haaland nis te treguesi më vendimtar i lojës: golat.
Që nga debutimi me Anglinë në vitin 2015, Harry Kane ka qenë pika e referimit e skuadrës. Me 85 gola, ai mbetet kapiteni dhe realizuesi kryesor i ekipit të Thomas Tuchel.
Në këtë Botëror, ai ka gjetur rrjetën gjashtë herë dhe ka qenë vendimtar sidomos në fazën me eliminim direkt. Dy golat kundër RD Kongos dhe penalltia e kthyer në gol përballë Meksikës treguan sërish se ai merr përgjegjësinë në momentet më delikate.
Paraqitjet e shkëlqyera me Bayern Munich e kanë futur gjithashtu Kane mes kandidatëve kryesorë për Topin e Artë.
Megjithatë, kjo çerekfinale i sjell në kujtesë edhe momentin më të hidhur me fanellën e Anglisë: penalltinë e humbur kundër Francës në Kupën e Botës në Katar. Tani ai ka një mundësi për ta mbyllur atë kapitull.
Haaland, një makineri e pandalshme golash
Në krahun tjetër, Erling Haaland po merr pjesë për herë të parë në një Botëror dhe ka lënë menjëherë gjurmë.
Bomberi norvegjez ka realizuar shtatë gola në turne dhe në katër ndeshje të tij ka shënuar golin që ka vulosur fatin e sfidës.
Ai mungoi vetëm në takimin ndaj Francës në grup, sepse Norvegjia e kishte siguruar tashmë kualifikimin.
Në 1/8 e finales përballë Brazilit, Haaland shënoi dy herë dhe fitoi edhe duelin individual me Gabrielin e Arsenalit.
Shifrat e tij me Norvegjinë janë mbresëlënëse. Ai ka realizuar në 14 ndeshje rresht për kombëtaren, duke grumbulluar 27 gola në këtë seri.
Në total, Haaland ka 62 gola në vetëm 51 paraqitje me Norvegjinë, me një mesatare të jashtëzakonshme prej një goli çdo 71 minuta, ritëm që lë pas edhe emra si Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Lionel Messi në nivel kombëtaresh.
Kush jep më shumë për lojën e ekipit?
Ndonëse të dy janë finalizues elitarë, Harry Kane shihet si futbollist më i plotë sa i përket lojës kolektive.
Në këtë Botëror, ai ka regjistruar edhe një asist, duke i shërbyer Jude Bellinghamit kundër Meksikës, ndërsa lëvizjet e tij prapa në mesfushë ndihmojnë ndërtimin e aksioneve të Anglisë.
Megjithatë, nuk është plotësisht e saktë të thuhet se Haaland është vetëm një “finisher”.
Në tre sezonet e fundit me Manchester Cityn, ai ka dhënë 24 asistime në Ligën Premier dhe garat evropiane, ndërsa Kane ka regjistruar 26 me Bayernin. Madje në sezonin 2024/25, norvegjezi krijoi më shumë raste për shokët e skuadrës sesa anglezi.
Edhe në këtë Kupë Bote, Haaland ka krijuar gjashtë raste për gol, përballë katër të Kane, edhe pse ka luajtur afro 100 minuta më pak.
Sidoqoftë, të dhënat tregojnë se Kane përfshihet shumë më shpesh në ndërtimin e lojës.
Gjatë sezonit të kaluar, ai e preku topin pothuajse dy herë më shumë për ndeshje sesa Haaland, krijoi dyfishin e rasteve për gol dhe kompletoi më shumë driblime.
Norvegjia mbështetet shumë më tepër te Haaland
Një tjetër element domethënës lidhet me ndikimin që secili ka te kombëtarja e tij.
Kur Kane shënon, Anglia fiton në shumicën dërrmuese të ndeshjeve. Edhe në rastet kur ai nuk gjen golin, “Tre Luanët” arrijnë sërish rezultate pozitive falë cilësisë së lojtarëve të tjerë, si Jude Bellingham, që ka realizuar katër gola në këtë Botëror.
Pamja është krejt tjetër te Norvegjia. Kur Haaland mbetet pa gol, përqindja e fitoreve të skuadrës bie ndjeshëm. Në fakt, norvegjezët fitojnë më pak se një të tretën e ndeshjeve ku sulmuesi i Manchester Cityt nuk shënon.
Kjo u pa menjëherë edhe në këtë Botëror, ku Norvegjia u mund 4-1 nga Franca në të vetmen ndeshje që ai nuk luajti.
Mesazhi është i drejtpërdrejtë: nëse ndalet Haaland, ndalet edhe Norvegjia. Por në praktikë, kjo është shumë më e vështirë sesa tingëllon.
Vlerësimet e ekspertëve
Pas suksesit ndaj Brazilit, ish-portieri i Anglisë, Joe Hart, e cilësoi Haalandin si “një përbindësh absolut”.
“Ai e bën gjithçka të duket e lehtë. Është i qetë, bën punën e tij në fushë dhe po shijon çdo minutë të Kupës së Botës”, deklaroi Hart.
Edhe Wayne Rooney e sheh ndikimin e Haaland si përcaktues.
“Ai i ka dhënë të gjithë Norvegjisë besimin se mund të shkojë shumë larg në këtë turne”, tha legjenda angleze.
Nga ana tjetër, si Rooney ashtu edhe Hart vlerësuan edhe Kane pas golit të tij kundër RD Kongos.
“Është një realizim i jashtëzakonshëm. Si çdo sulmues i madh, ai nuk ka nevojë as ta shohë portierin. Është instinkt i pastër”, u shpreh Rooney.
Hart shtoi: “Ai i beson plotësisht teknikës së tij. Që në momentin kur topi u largua nga këmba, Kane e dinte se kishte shënuar”.
Harry Kane dhe Erling Haaland janë ndeshur vetëm dy herë gjatë karrierës, të dyja në fillim të vitit 2023.
Fillimisht ishte Haaland ai që shënoi në fitoren 4-2 të Manchester Cityt ndaj Tottenhamit. Disa javë më vonë, Kane iu përgjigj duke realizuar golin e vetëm në triumfin 1-0 të Spurs, takim në të cilin u bë edhe golashënuesi më i mirë në historinë e klubit londinez.
Tashmë përplasja mes tyre ngjitet në nivelin më të lartë. Në lojë është një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës dhe vetëm njëri prej dy sulmuesve më të mirë të planetit do të vazhdojë rrugën drejt trofeut.
