Kampioni botëror i boksit përfshihet në aksident të rëndë, raportohet për 2 viktima (VIDEO)

Autoritetet nigeriane, kanë njoftuar se kampioni britanik i boksit në peshat e rënda, Anthony Joshua, është përfshirë në një aksident rrugor në autostradën Ogun-Lagos, duke shkaktuar dy viktima, teksa edhe vetë pësoi lëndime.

Boksieri 36-vjeçar, i cili vjen nga qyteti jugperëndimor nigerian i Sagamu, pësoi lëndime të lehta, tha policia. Autoritetet kanë konfirmuar për BBC se gjendja e tij nuk është kërcënuese për jetën.

Fotot dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë një makinë të dëmtuar rëndë, e cila besohet se është përfshirë në incident.

Mediat lokale raportojnë se dy persona kanë vdekur në aksident.

Një dëshmitar okular i tha gazetës nigeriane “The Punch” se dy automjete ishin të përfshira në aksident.

“Joshua ishte në një SUV, i ulur pas shoferit, me një person tjetër pranë tij”, i tha ai gazetës. “Kishte gjithsej katër persona në automjetin në të cilin ndodhej boksieri”.

Sipas mediave lokale, boksieri ishte në pjesën e pasme të SUV-it kur u përplas me një kamion të parkuar.

 


Shtuar 29.12.2025 15:32