“Kam folur me të, psikologjikisht, është e vështirë” – Deschamps flet për Pogban

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, ka thënë se Paul Pogba do të ‘mbrohet me të gjitha forcat e tij’ dhe shpreson se mesfushori i Juventusit do të ‘rikthejë kënaqësinë’ e të luajturit futboll.

Pogba është pezulluar për katër vjet pasi dështoi në një test dopingu në gusht të vitit 2023, pas një ndeshje të Serisë A mes Juventusit dhe Udineses , të cilën ai e kaloi tërësisht në stol.

Përzgjedhësi i Francës, Deschamps foli për mesfushorin me përvojë të Juventusit dhe Francës në një konferencë për shtyp të enjten, pasi publikoi listën e skuadrës së Les Blues për ndeshjet kundër Gjermanisë dhe Kilit.

“Kam folur me të. Psikologjikisht, është e vështirë”.

“Vendimi ishte i ashpër; ka bërë ankesë, kështu që do të ketë një aktgjykim tjetër. Ai do të mbrohet me të gjitha forcat. Nuk më pëlqen të jem i prerë për të ardhmen”.

“Mbi të gjitha, shpresoj se ai mund të rifitojë kënaqësinë e të luajturit në fushë dhe më pas të gjejë sërish kombëtaren e Francës”, ka thënë Deschamps.

Pogba nuk është stërvitur me pjesën tjetër të shokëve të tij të skuadrës në Juventus që nga shtatori i vitit 2023, kur ai u pezullua paraprakisht nga komisioni italian antidoping.

Në fund të shkurtit, gjykata anti-doping konfirmoi një ndalim katërvjeçar, por reprezentuesi francez ka bërë një apel dhe do të luftojë për të pastruar emrin e tij.

Kontrata e tij në Torino skadon në qershor 2026, por gjigantët e Serisë A mund të vendosin të ndërpresin marrëveshjen e tij në muajt e ardhshëm. /Telegrafi/