Lionel Messi ka kaluar te PSG, ku nuk mungoi buja e madhe për këtë transferim që ishte më i madhi në këtë afat kalimtar.
Tashmë klubi dhe sponsorët rreth PSG-së kanë filluar t’i vjelin sukseset e para, ende pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare argjentinasi magjik.
Fanella e tij me numër 30 është shitur në mënyrë të pabesueshme, aq sa brenda një javë janë arkëtuar 120 milionë euro.
Fama e Messit, ka reflektuar në kërkesat e mëdha për fanellat e tij, duke e bërë edhe më të pasur legjendën e basketbollit, Michael Jordan, i cili është pjesë e grupit Nike, sponsorit teknik të PSG-së, që i jep një përqindje fitimi për çdo fanellë të shitur të klubit parisien.
Gazeta portugeze “A Bola”, por edhe mediat franceze kanë bërë llogaritjet dhe raportojnë se Jordan përfiton 5 për qind të shumës totale të shitjeve, në këtë rast nga 120 milionë euro, ai do të marr 6 milionë euro.
Këto shifra do të rritet në ditët në vijim, pasi fanellat e kampionit argjentinas do të vazhdojnë të shiten.
Për ish yllin e basketbollit, ky është një lajm i shkëlqyer, duke pasur parasysh se, sipas Forbes, në vitin 2020, për shkak të pandemisë dhe investimeve të pasuksesshme, ai kishte humbur 500 milionë dollarë.
Pasuria e tij kishte zbritur nga 2.1 në 1.6 miliard dollarë.