“Justifikimet e Ilir Dajës”, Hasani tregon të vërtetën: Të isha dëmtuar, nuk luaja me Kombëtaren

Ferhan Hasani ishte largimi i papritur i Partizanit në këtë merkato të verës. Futbollisti që luajti për disa minuta edhe në këtë Europian zgjodhi që të tregonte të vërtetën dhe pa diplomaci, duke treguar se arsyeja e vetme është Ilir Daja.

Ky i fundit e la në stol Hasanin duke u shprehur se ka qenë i dëmtuar dhe po e ruante për momentin kulminant të kampionatit. “Sport Ekspres” ka kontaktuar lojtarin që i cilëson të gjitha këto fjalë si justifikime të Dajës pasi nëse do ishte i dëmtuar nuk do luante me Kombëtaren.

“Nuk kishte një mundësi tjetër për të vazhduar me Partizanin, ishte e pamundur. Nuk mund të vazhdoja me një trajner që nuk besonte te mua. Unë nuk e pranoja stolin dhe erdha për tjetër gjë te Partizani, doja të jepja kontributin tim. Bisedova me Ramën dhe Demin para vendimit, u munduan shumë që të më mbanin, por vendimi ishte i prerë.

Fjalët e Dajës mbi dëmtimin? Janë justifikime. Nëse do isha i dëmtuar atëherë nuk do luaja me Kombëtaren. E ndieja veten gati, vetëm në ditët e para kur erdha te Partizani isha i dëmtuar. E ardhmja në Superiore? Tani dua të pushoj pak, të jem i qetë dhe të marr vendim të ftohtë. Do ta shohim”, tha Hasani.

Shtuar 4.07.2021 08:33

Tags: , ,