Jurgen Klopp i mahnitur nga performanca e Barella, e do me çdo kusht te Liverpooli

Pas dy sezonesh vetëm në rritje me fanellën e Interit në Serinë A, Nicolo Barella është shndërruar në një pikë kyçe edhe te Italia e Roberto Mancinit, pasi ofron kilometra pa fund, ekuilibër dhe shpesh edhe gola me peshë, si ai ndaj Belgjikës, që shërbeu për zhbllokimin e rezultatit.

Në Itali të gjithë e quajnë një siguri mesfushorin 24-vjeçar të Interit, i cili me performancën e tij në Europian po tërheq vëmendjen e shumë klubeve Europiane, teksa së fundi mediat angleze flasin për një interes konkret të Liverpoolit.

Jurgen Klopp ka mbetur i mahnitur nga cilësitë dhe personaliteti i futbollistit italian dhe u ka kërkuar drejtuesve të klubit ta sjellin menjëherë në “Anfield Road”, pasi e sheh Barellën si zëvendësuesin ideal të Wijnaldum, i cili u largua si futbollist i lirë për të firmosur me PSG-në.

Aktualisht te Interi nuk kanë ndërmend të shesin futbollistë të tjerë përveç Hakimit dhe për më tepër, Barella është një italian me të ardhme të ndritur, që zikaltrit duan ta mbajnë fort, megjithatë anglezët kanë para dhe mund të joshin jo pak drejtuesit zikaltër.

Milanezët shpenzuan rreth 45 milionë euro për blerjen e futbollistit nga Cagliari dhe do të mund të hiqnin dorë vetëm në rast të një oferte prej 65-70 milionë eurosh, shifër kjo që përkon edhe me vlerën e Barellës në treg.

 

 


Shtuar 4.07.2021 23:40