Mesfushori Son Jun-ho, pjesë e Kupës së Botës në Katar, i cili luan në Kinë për Shandong Taishan, u arrestua muajin e kaluar në provincën verilindore të Liaoning.
Jurgen Klinsmann, trajneri i kombëtares së Koresë së Jugut megjithatë e përfshiu 31-vjeçarin në listën e tij për ndeshjet në shtëpi ndaj Perusë më 16 qershor dhe El Salvadorit, katër ditë më vonë, edhe pse ai nuk ka gjasa të jetë i disponueshëm.
“Natyrisht që ne të gjithë jemi të tronditur nga situata e Jun-ho-son dhe ai ka mbështetjen tonë të plotë, – iu tha Klinsmann gazetarëve, ndërsa publikoi listën prej 23 lojtarësh. – Shpresojmë që çdo ditë të ndodhë diçka, por nuk është në duart tona”.
Federata Koreane e Futbollit i tha AFP se kishte dërguar zyrtarë në Kinë për të kërkuar lirimin e Son, por avokati i lojtarit “nguroi” të fliste me ta.
“Zyrtarët e federatës u kthyen në Korenë e Jugut të hënën pa sukses”, – njoftoi agjencia e lajmeve ‘Yonhap’. Kina ka lëshuar pak detaje në lidhje me akuzat ndaj Son, duke thënë vetëm se ai u arrestua “me dyshimin për marrje ryshfeti nga punonjës jo shtetëror”.
“Ne po kujdesemi për të, ai po merr mbështetjen tonë, – shtoi Klinsmann. – Nuk e dimë gjendjen e tij shpirtërore, nuk e dimë se në çfarë gjendje fizike është, por mendoj se meriton të gjithë mbështetjen nga ne”.
Son luajti në tri nga katër ndeshjet e Koresë së Jugut në Kupën e Botës të vitit të kaluar në Katar.