Joshua Zirkzee po e mendon seriozisht ndarjen nga Manchester Unitedi, pasi aventura e sulmuesit në Angli nuk ka përmbushur pritshmëritë që kishte në fillim.
Të lidhura
None found
Futbollisti 25-vjeçar kërkon të kthehet në Serie A, kampionatin ku spikati me fanellën e Bolognës. Raportimet që vijnë nga Italia bëjnë të ditur se ai ka disa mundësi për të ardhmen, megjithëse Juventusi mbetet destinacioni i tij i preferuar.
Corriere dello Sport shkruan se holandezi dëshiron me ngulm rikthimin në Itali dhe se mban një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me drejtuesit e Juventusit.
Nga ana tjetër, Manchester Unitedi raportohet se nuk e përjashton huazimin e sulmuesit dhe ka nisur të vlerësojë opsione të tjera për repartin ofensiv.
Në diskutimet ndërmjet klubit anglez dhe Juventusit është shqyrtuar formula e huazimit me të drejtë blerjeje. Palët kanë trajtuar gjithashtu variantin që transferimi përfundimtar të bëhet i detyrueshëm pas përfundimit të periudhës së huazimit.
Marrëdhëniet mes dy klubeve cilësohen të mira, ndaj marrëveshja mund të realizohet nëse arrihet pajtim për kushtet financiare.
Edhe Napoli e ka monitoruar Zirkzeen, por vetë lojtari dëshiron të kalojë te Juventusi dhe tani pret vendimin përfundimtar të gjigantit italian.
Synimi i holandezit për t’u kthyer në Torino lidhet edhe me gjendjen e repartit sulmues të Juventusit.
Klubi italian mund t’i hapë rrugë largimit të sulmuesit kanadez Jonathan David, vetëm një vit pasi ai u transferua në Serie A.
Zirkzee është formuar në akademinë e Bayern Munichut. Para se të kalonte dy vjet te Bologna, ai pati edhe një huazim të shkurtër në Serie A. Pikërisht te Bologna ndërtoi reputacionin e tij dhe tërhoqi interesimin e Manchester Unitedit.
