Skënderbeu – Dinamo është shtyrë për shkak të reshjeve të dëborës që kanë kapluar vendin. Ashtu siç “Newsport.al” njoftoi, ka ardhur edhe zyrtarizimi nga ana e FSHF-së për këtë takim. Ky duel ishte parashikuar të luhej në orën 17:00 në stadiumin “Skënderbeu”.
Por kjo sfidë nuk është e vetmja që shtyhet për shkak të dëborës, pasi bëhet me dije se një tjetër ndeshje e programuar për t’u zhvilluar ditën e sotme nuk do të luhet. Është pikërisht përballja mes Kastriotit dhe Bylisit, e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë së Parë dhe që do të luhej në orën 13:30.
“Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se ndeshja Skënderbeu-Dinamo e kampionatit “Abissnet Superiore” dhe ndeshja Kastrioti-Bylis e Kategorisë së Parë, të programuara për t’u luajtur sot, do të shtyhen për shkak të kushteve të rënduara atmosferike.
Në ditët në vazhdim Departamenti i Garave në FSHF do të përcaktojë datat se kur do të luhen këto ndeshje”, thuhet në njoftimin e FSHF-së. /newsport.al/