Jo vetëm Ben White, një tjetër yll i Arsenalit refuzon ftesën nga kombëtarja

Një tjetër lojtar i Arsenalit pas Ben White ka refuzuar ftesën nga kombëtarja për miqësoret e muajit mars, duke i dhënë një shtysë të madhe trajnerit Mikel Arteta.

Javën e kaluar, Gareth Southgate publikoi listën e lojtarëve të Anglisë të ftuar për miqësoret ndaj Brazilit dhe Belgjikës, aty ku u vërejt një mungesë.

Ben White nuk ishte përfshirë në ekip, pasi Southgate refuzoi ta ftonte atë për faktin se ka qenë pikërisht White ai i cili nuk është shprehur i gatshëm të jetë në dispozicion të ‘Tre Luanëve’.

Tani kur ajo çështje filloi të zbehej, një tjetër lojtar i Arsenalit ka refuzuar ftesën nga kombëtarja.

Bëhet fjalë për Thomas Partey i cili refuzoi ftesën e Ganës për miqësoret e këtij muaji për shkak se ai dëshiroi që të fokusohej të rikthehej në gjendje optimale fizike, pas rikthimit nga lëndimi.

Partey ka bërë vetëm shtatë paraqitje këtë sezon pasi pësoi disa lëndime që e lanë jashtë fushave për një kohë të konsiderueshme.

Reprezentuesi ganez u rikthye në aksion më herët gjatë këtij muaji, pasi kishte mbetur jashtë fushave për plotë katër muaj.

Teksa nuk mund të thuhet se tek Arsenali e kanë vërejtur shumë mungesën e tij, të besuarit e Artetas janë momentalisht në krye të tabelës në Ligën Premier dhe rikthimi i tij mund të jetë një vlerë për ekipin. /Telegrafi/


Shtuar 18.03.2024 17:34